Një telefonatë e mbërritur mëngjesin e të martës në sallën operative të
policisë së Durrësit për vënien e një bombe në pikën e kolaudimit teknik
të automjeteve në Shkozet ka vënë në alarm policinë, ndërsa është
pezulluar plotësisht veprimtaria në të.

Pas marrjes së telefonatës shërbime të shumta policore, të strukturave të ndryshme kanë shkuar në vend dhe kanë evakuuar të gjithë ambientet e shërbimit nga punonjësit dhe qytetarët që po kryenin veprimet rutinë në të. Një perimetër i gjerë sigurie është vendosur përreth Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor, si dhe Qendrës së Kontrollit Teknik të Automjeteve për të shmangur çdo rrezik nga ndonjë shpërthim i mundshëm, ndërkohë që forcat xheniere të RENEA-s vazhdojnë të kontrollojnë imtësisht me aparatura dhe qen anti eksploziv të gjithë mjediset e Drejtorisë dhe Qendrës së Kontrollit Teknik.

Drejtues të policisë së Durrësit thonë se deri tani rezulton që alarmi të ketë qenë fals, por kjo nuk mund të shmangte marrjen e masave të menjëhershme dhe pezullimin e të gjithë aktivitetit publik të Kolaudimit deri në kontrollin dhe verifikimin e pastërtisë së krejt zonës. Ndërkaq ka nisur puna për verifikimin e telefonatës dhe personit që e ka bërë atë.

Top Channel