Skandal politik në Spanjë

01/04/2013 17:35

Një skandal ka tronditur politikën spanjolle, Partinë Popullore të kryeministrit Rajoy dhe këshillin bashkiak të një rajoni ku ekzistojnë prirje për autonomi, Galicia.

Ditën e Pashkës, gazeta “El Pais” ka publikuar një seri fotosh të bëra në vitin 1995, në të cilat kryetari i këshillit rajonal, Alberto Nunez Feijoo shfaqet përkrah Marcial Dorado, një kriminel i mirënjohur dhe i dënuar në vitin 2003 me 14 vjet burg për trafik droge.

Feijoo, të cilit gazeta ia tregoi fotot para se t’i publikonte, ka deklaruar përmes një komunikate se në atë kohë nuk kishte qenë në dijeni të problemeve të Dorado me drejtësinë.

Ai ka thënë gjithashtu se, miqësia mes tyre kishte zgjatur vetëm 1 ose 2 vjet dhe se kur kishte marrë vesh se cili ishte i kishte ndërprerë marrëdhëniet.

Në të vërtetë Dorado kishte qenë një person shumë i njohur në kronikat gjyqësore, ai ishte burgosur dy herë, në vitin 1983 dhe 1990.

Ndërsa Feijoo në vitet ’90 kishte një detyrë të rëndësishme në administratën e qeverisë galiciane, konkretisht sekretar i përgjithshëm i çështjeve shëndetësore.

Sipas “El Pais”, kontaktet mes zyrtarit dhe trafikantit ishin të shumta në mesin e viteve ’90 dhe më shumë se njëherë politikani ishte ftuar në shtëpinë e tij.

Bashkë me të ai kishte udhëtuar për në Portugali dhe Andora, principata që në atë kohë frekuentohej shpesh nga kontrabandistët spanjollë për pastrimin e parave të pista.

Top Channel