
Serbët sulmuan një autobus me udhëtarë nga Kosova të cilët po kalonin nëpër territorin e Serbisë për të shkuar në Austri. Për pasojë është plagosur shoferi i autobusit. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës, konfirmoi policia e Kosovës.
Sipas zëdhënësit Baki Kelani, mbrëmë rreth orës 22:00 një autobus që qarkullonte në relacionin Kosovë-Austri ka kaluar kufirin Kosovë-Serbi në pikën kufitare në Merdar dhe rreth 1 kilometër në brendësi të territorit të Serbisë është therrur me thikë shoferi i autobusit.
Burime jozyrtare bëjnë të ditur se gjithçka ka ndodhur pasi autobusi ishte ndaluar nga disa serbë, të cilët në mes të rrugës kishin parkuar dy makina.
Zyrtarët e Policisë së Kosovës thonë se kanë kontaktuar autoritetet e Serbisë, të cilët konfirmojnë se janë në dijeni për rastin dhe janë në kërkim të të dyshuarve.
Nga ana tjetër, shoferi, punonjës në agjenci udhëtimi, ndodhet në Qendrën Klinike Universitare jashtë rrezikut për jetën.
Top Channel