Gjatë pasdites, lideri i Partisë Socialiste, Edi Rama, prezantoi programin për të rinjtë. Ai premtoi një reformë të thellë në arsim dhe akuzoi qeverinë se e ka rrënuar gjatë këtyre 8 viteve.
Rama tha se vizioni i kësaj qeverie është ‘fonde publike për arsimin privat’, ndërsa i socialistëve është ‘fonde private për arsimin publik’. Sipas tij, programi i socialistëve nuk do e kufizojë jetën e të rinjve, vetëm mes kafeneve dhe facebook-ut.
“Ne jemi shumë të vendosur, që të fuqizojmë arsimin publik, por duke pranuar dhe mbështetur sfidën e arsimit privat si fuqi komplementare, që duhet të rrisë përgjegjësinë dhe konkurrueshmërinë e arsimit publik. Sot, qeveria ka një vizion krejt tjetër nga vizioni ynë. Vizioni i qeverisë është fonde publike, për arsimin privat, ndërkohë që vizioni ynë është fonde private për institucionet publike. Me institucione publike nënkuptoj ato publiket, ose me nisma private, por pa qëllim fitimi. Dhe zgjedhja është investim për dije, të cilat nesër i shërbejnë gjithsecilit për të zënë vendin e vet në tregun e punës, apo investim për të marrë diplomë, që nesër është një letër pa vlerë?!”, deklaroi Rama.
Top Channel