
Serbët e veriut kanë mbajtur për një orë të bllokuar rrugën magjistrale që lidh veriun e Mitrovicës me pikën kufitare numër 1 në Jarinje.
Sipas burimeve policore, kjo është bërë në shenjë proteste për zhvillimet që pritet të ndodhin në Bruksel më 2 prill.
Zëdhënësi i policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti tha nëpërmjet telefonit se rreth orës 13:00, në rrugën që çon drejt portës 1 në Jarinje, u mblodhën rreth 250 qytetarë serbë.
Sipas Hotit, ata dolën në rrugë me makinat e tyre dhe bllokuan qarkullimin për të gjitha automjetet. Protesta përfundoi pas një ore dhe nuk u shënua ndonjë incident.
Fundjavën e kaluar, po në veri, në urën mbi lumin Ibër, kundër dialogut protestuan qytetarët kosovarë, të udhëhequr nga Albin Kurti, i cili tha se, Mitrovica është qendra në të cilën duhet të bashkohen shqiptarët dhe se pa Mitrovicën e bashkuar nuk ka shtet.
Marrëveshja që pritet të arrihet më dy prill në Bruksel, sipas tij, është e papranueshme dhe si e tillë do të kundërshtohet në demonstrata të tjera në Prishtinë.
Top Channel