Prokurorët: Dënim me vdekje James Holmes

01/04/2013 21:00

Prokurorët kanë kërkuar dënim me vdekje për James Holmes, i akuzuari për masakrën në një kinema të Aurorës, në Shtetet e Bashkuara, gjatë premierës së filmit “Batman”.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë pala e akuzës, e cila ka sqaruar se ka refuzuar ofertën e Holmes për t’u vetëshpallur fajtor nëse do t’i sigurohej burgimi i përjetshëm.

Holmes akuzohet se, i veshur si personazhi Joker, vrau 12 persona dhe plagosi 70 të tjerë 20 korrikun e kaluar në lokalitetin e Aurorës, në Kolorado.

Sipas raportimeve të shtypit amerikan, avokatët e tij do të përpiqen të tregojnë se në momentin e të shtënave Holmes nuk ishte i aftë mendërisht.

Por hetuesit këmbëngulin se ish-studenti i mjekësisë kishte grumbulluar armë e municione dhe kishte krijuar madje një kurth për policinë në shtëpinë e tij, në përpjekje për t’i shpërqendruar agjentët, duke penguar reagimin në kohë ndaj sulmit në kinema.

“Qëllimi im në këtë çështje është të vihet në vend drejtësia dhe kjo mund të bëhet vetëm nëpërmjet dënimit me vdekje”, deklaroi më herët prokurori i qarkut, George Brauchler.

Top Channel