Papandreu: Rama dhe Meta të bashkëpunojnë

01/04/2013 00:00

Në cilësinë e Presidentit të Internacionales Socialiste George
Papandreoui i ka drejtuar një thirrje Edi Ramës dhe Ilir Metës për të
konsideruar në mënyrë serioze bashkëpunimin mes forcave të tyre, duke
patur parasysh zgjedhjet e qershorit 2013 që po afrojnë.

“Pavarësisht dallimeve, sot sfida e vërtetë është krijimi i një fronti të bashkuar progresist. Ky front i bashkuar progresist do t’i mundësojë vendit, – thotë Papandreu, – ndërmarrjen e reformave të nevojshme për të garantuar një shoqëri më të ndershme me institucione demokratike, transparencë dhe llogaridhënie’.

“Për të konsoliduar demokracinë në Shqipëri, – thekson Papandreu, – nevojiten zgjedhje të lira e të ndershme dhe një shumicë e re qeverisëse”.
 
Në fund të letrës drejtuar Ramës dhe Metës, Papandreu shprehet se Bashkimi mund të sjellë fitoren dhe fitorja mund të sjellë shpresë dhe ndryshim.’ Dëshira ime është që të dy ju, të dashur Edi dhe Ilir, ta shfrytëzoni këtë mundësi historike’.
 

Pitela apel Metës e Ramës

Një ditë më parë ishte zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian, Xhiani Pitela, përmes një mesazhi të publikuar në faqen e tij të internetit, i bën thirrje udhëheqësit të Partisë Socialiste Edi Rama dhe atij të Lëvizjes për Integrim, Ilir Meta të bashkohen në prag të zgjedhjeve të 23 Qershorit.

Në deklaratën e tij, duke iu referuar humbjes së tretë radhazi të statusit të vendit kandidat, Pitela u shpreh i bindur se vetëm një qeveri progresiste socialiste mund ta nxjerrë vendin nga kriza e thellë.

“Në emër të të gjithë miqëve të sinqertë të Shqipërisë dhe të Socialistëve Progresistë Shqiptarë, dëshiroj t’u lëshoj një apel miqve të mi: Edi Ramës dhe Ilir Metës. Tani ka arritur momenti, nuk ka më kohë për të humbur, as për popullin shqiptar dhe as për të majtën shqiptare, për Partinë Socialiste apo Lëvizjen Socialiste për Integrim, të bashkohen dhe të fitojnë. Të dy udhëheqësit e këtyre forcave politike duhet të shohin përpara dhe të tejkalojnë hendekun që i mban të veçuar për të mirën e vendit”, thotë zoti Pitela.

Edhe Stanishev kërkon bashkëpunim

Të shtunën Presidenti i Partisë Socialiste Europiane, Sergei Stanishev iu drejtua me të njëjtin apel udhëheqësve të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në prag të zgjedhjeve të majtët europianë kanë rritur presionin duke kërkuar që Rama dhe Meta të tejkalojnë diferencat dhe të bashkohen në zgjedhjet e 23 qershorit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA