Bin Laden, vdes një tjetër komando

01/04/2013 17:00

Ishin 25 komandot e grupit “Team Six” të njësisë ushtarake elitë Navy Seal, që në maj të 2011-ës, në afërsi të Islamabadit, hynë në bunkerin e sheikut të terrorit Osama bin Laden dhe e vranë.

Tani të gjallë kanë mbetur vetëm dy prej tyre. Pas incidentit tragjik (sipas versionit zyrtar të autoriteteve amerikane) të helikopterit që vrau 22 anëtarë të skuadrës në gusht të të njëjtit vit, një tjetër marins i të njëjtit grup ka vdekur gjatë një stërvitjeje ditët e fundit.

Ai quhej Brett D. Shadle, ishte 31 vjeç dhe të enjten me parashutën e tij është përplasur në tokë, në shkretëtirën e Arizonës, pas përplasjes me një shokun e tij. Ata po stërviteshin për hedhjet nga kuota të ulëta.

Shadle është shpallur i vdekur në spitalin e Tuksonit, jo shumë larg vendit ku u rrëzua. Ndërsa shoku i tij është shtruar në spital dhe është në gjendje të qëndrueshme. Identiteti i tij nuk është bërë i ditur. Mbi ngjarjen autoritetet ushtarake kanë hapur një hetim.

Këtyre vdekjeve i shtohet edhe historia e komandos Matt Bissonette, që nën pseudonimin Mark Owen shkroi librin “No Easy Day”, i cili tregon operacionin për vrasjen e sheikut dhe që shërbeu si bazë për filmin e diskutuar “Zero Dark Thirty”.

Bissonette është kërcënuar me vdekje dhe për faktin se, gjithmonë sipas variantit zyrtar, nuk u kërkoi leje eprorëve për të publikuar librin, u shkarkua me turp nga detyra.

Ndërsa një muaj e gjysmë më parë, komandoja që materialisht vrau Bin Laden, tregoi për revistën “Esquire” se kishte mbetur pa asnjë asistencë pasi ishte dorëhequr nga ushtria.

Për shkak të emocioneve ose stresit të lidhur me detyrën, ai e kishte lënë “Team Six” pas 16 vjetësh shërbim, nga 20 vjet që është detyrimi.

Top Channel