Rama shpalos programin në Milano

31/03/2013 19:50

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja Linda, ka zhvilluar një takim me shqiptarë që jetojnë në Milano.

Gjatë këtij takimi, kryetari socialist ka folur për programin për një Rilindje Shqiptare, duke u ndalur, në mënyrë të posaçme, mbi ato pika të programit, të cilat lidhen me shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë, pika që janë pritur me optimizëm dhe entuziazëm prej të pranishmëve në sallë.

“Ne mendojmë se duhet të ndërtojmë një rrugë të përbashkët, ku gjithsecili nga ju të ketë mudnësi të investojë në Shqipëri, në rast se do ta bëjë këtë, ku gjithsecili prej jush të kthehet në Shqipëri për pushime, në rast se do ta bëjë këtë. Ne kemi propozuar dy herë vendosjen e votës së emigrantëve dhe kemi synuar që, të gjithë emigrantët të mund të votojnë aty ku jetojnë. S’ka qenë e mundur, sepse PD ka qenë plotësisht kundër, dhe në fakt s’ka se si PD të ishte pro, kur mendon se kryeministri i sotëm i Shqipërisë nuk ka zhvilluar në 8 vjet, asnjë takim me emigrantët, asgjëkundi”, deklaroi Rama.

Së bashku me Edi Ramën kanë qenë në këtë takim edhe sekretari për Rininë dhe Emigracionin, Erion Veliaj, kandidati për deputet, Parid Cara, dhe kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi.

Top Channel