Zv.Presidenti i Parlamentit Europian, Xhiani Pitela, përmes një mesazhi të publikuar në faqen e tij të internetit, i bën thirrje udhëheqësit të Partisë Socialiste Edi Rama dhe atij të Lëvizjes për Integrim, Ilir Meta të bashkohen në prag të zgjedhjeve të 23 Qershorit.

Në deklaratën e tij, duke iu referuar humbjes së tretë radhazi të statusit të vendit kandidat, Pitella u shpreh i bindur se vetëm një qeveri progresiste socialiste mund ta nxjerrë vendin nga kriza e thellë.

“Në emër të të gjithë miqëve të sinqertë të Shqipërisë dhe të Socialistëve Progresistë Shqiptarë, dëshiroj t’u lëshoj një apel miqve të mi: Edi Ramës dhe Ilir Metës. Tani ka arritur momenti, nuk ka më kohë për të humbur, as për popullin shqiptar dhe as për të majtën shqiptare, për Partinë Socialiste apo Lëvizjen Socialiste për Integrim, të bashkohen dhe të fitojnë. Të dy udhëheqësit e këtyre forcave politike duhet të shohin përpara dhe të tejkalojnë hendekun që i mban të veçuar për të mirën e vendit”, thotë zoti Pitella.

Pitella tha se cikli i qeverisjes së djathtë ka mbërritur në fundin e tij.

“Është pikërisht ky momenti kur Edi Rama dhe Ilir Meta mund t’i hapin rrugën një transformimi të pabesueshëm, politik, ekonomik dhe social të Shqipërisë. Cikli politik i qeverisjes së djathtë në Shqipëri ka marrë fund. Shqipëria ka nevojë urgjente për ndryshim. Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim duhet të qendrojnë bashkë në këto zgjedhje për t’u dhënë shqiptarëve mundësinë shqiptarëve ta bëjnë të mundur ndryshimin përmes votës së tyre”, deklaron zv.presidenti i PE-së.

Në fund të deklaratës së tij, përfaqësuesi i të majtëve në PE, u shpreh shpresëplotë se koha e kufizuar që mbetet për të marrë një vendim të madh historik do të përdoret ashtu siç duhet për të hapur një kapitull të ri për të Majtën Shqiptare dhe Shqipërinë.

“Bashkimi Europian ka nevojë për Shqipërinë dhe Shqipëria ka nevojë për Bashkimin Europian. Mos e humbni këtë shans historik!”, përfundon zoti Pitella.

Të shtunën Presidenti i Partisë Socialiste Europiane, Sergei Stanishev iu drejtua me të njëjtin apel udhëheqësve të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në prag të zgjedhjeve të majtët europianë kanë rritur presionin duke kërkuar që Rama dhe Meta të tejkalojnë diferencat dhe të bashkohen në zgjedhjet e 23 qershorit.

Top Channel