Vetëvendosje, protestë në Mitrovicë

30/03/2013 00:00

Ura kryesore e lumit Ibër ishte pushtuar nga njësitet speciale të Policisë së Kosovës, ndërsa protesta e lëvizjes Vetëvendosje po merrte formën e saj në sheshin Mehe Uka, në Mitrovicë.

Përveç policisë, edhe  një helikopter i KFOR-it nisi të fluturojë mbi qytetarët të cilët, të ardhur nga vise të ndryshme të Kosovës, u mblodhën në Mitrovicë për t’i thënë jo dialogut që sipas VV thellon ndarjen mes jugut dhe qytetit.

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se Mitrovica është qendra në të cilën duhet të bashkohen shqiptarët dhe se pa Mitrovicën e bashkuar nuk ka shtet.

Marrëveshja që pritet të arrihet më dy prill në Bruksel, sipas tij, është e papranueshme dhe si e tillë do të kundërshtohet në demonstrata të tjera në Prishtinë.

“Në pazarin personal të kryeministrit me Serbinë, nuk po bashkohet Mitrovica, por serbët për të ndarë Mitrovicën. KFOR-i dhe forcat e tjera nuk duhet të kujdesen për një ambjent paqësor, por të luftojnë krimin që është në veri”, deklaroi Kurti.

Kurti nuk la pa kritikuar as Shërbimin Informativ të Kosovës, një shërbim sekret ky i afërt me PDK-në e kryeministrit Thaçi, por që zyrtarisht është shuar në 2008-ën.

Edhe protestuesit kanë vërejtjet e tyre për sa i përket qëndrimit të institucioneve shtetërore për zgjidhjen e problemit të Mitrovicës. Pas rreth 1 orë e gjysmë, protesta e lëvizjes Vetëvendosje përfundoi e qetë.

Top Channel