Tibet, rrëshqitje dheu, 83 minatorë të bllokuar

30/03/2013 03:40

Qindra forca shpëtimi janë duke punuar për të liruar 83 minatorë të zënë nëntokë nga një rrëshqitje dheu, pranë kryeqytetit të Tibetit, Lhasa, ka bërë të ditur media shtetërore kineze.

Televizioni shtetëror ka raportuar se rrëshqitja e dheut përfshiu një zonë të madhe, përfshi kasollet ku minatorët ishin duke fjetur.

Më shumë se 1000 punonjës të emergjencave janë dërguar në vendngjarje, në një lartësi prej 4600 metrash, mbi nivelin e detit.

Në një tjetër incident, një shpërthim gazi në një minierë qymyri në Jilin ka vrarë të paktën 28 persona.

Miniera Babao në qytetin Baishan, në veri-lindje të vendit, është duke u menaxhuar nga kompania shtetërore “Tonghua Mining Group”.

13 minatorë të tjerë janë shpëtuar pas shpërthimit të orës 22:40 me orën lokale, të ditës së premte.

Miniera në Tibet, e cila nxirrte bakër, ashtu si dhe pak argjend e flori, është duke u shfrytëzuar nga një ndihmës-operator i kompanisë shtetërore “China National Gold Group”, prodhuesi më i madh i floririt në Kinë.

Media shtetërore raporton se pjesa më e madhe e punonjësve ishin të etnisë Han (kineze), ndërsa dy prej tyre ishin të etnisë tibetiane.

Shumica e tyre thuhet se janë punëtorë emigrantë nga provincat Yunnan, Guizhou dhe Sichuan.

Top Channel