Reshjet dëmtojnë bujqësinë

30/03/2013 16:25

Reshjet masive në muajt e fundit kanë dëmtuar rëndë prodhimin bujqësor. Fermerët thonë se shumë nga kulturat e mbjella të dimrit janë shkatërruar.

“Tokat janë të tejngopura me lagështirë, pengojnë të mbjellat si gruri, jonxha e të gjiitha, të cilat ndjejnë mungesën e oksigjenit dhe kanë probleme me zhvillimin”, thotë një fermer nga Lushnja.

Por veç dëmtimit të kulturave të mbjella gjatë dimrit, lagështira e madhe e tokës pengon edhe mbjelljet e reja të stinës.

“Mbjelljet e reja duhet të ishin në përfundim, por ato s’kanë filluar fare zhvillimin. Janë pemët frutore që nuk mbjellin, edhe fasulja duhet të mbyllej në këtë periudhë. Të gjitha këto vonesa do shfaqin pasojat më vonë”, vijon fermeri.

Edhe në zonën e Korçës fermerët nuk kanë mundur dot të mbjellin tokat e tyre për shkak të reshjeve. “Gruri, misri dhe panxhari mbillen këtu, por s’është mbjellë asgjë. S’ka asgjë”, thotë një tjetër bujk.

Madje, në këtë zonë situata është edhe më e rënduar për shkak të mungesës së kanalave kulluese. “Ka mbi 20 vjet që tokat janë të përmbytura dhe s’ka marrë mundimin njeri të pastrojë një metër kanal. Sepse kanali ka ardhur në lartësinë e tokës dhe uji s’ka nga ikën më”, ankohet një fermer.

Dëmtimi i prodhimit vendas ka filluar të japë efektet e para në tregun e brendshëm. INSTAT raportoi se muajin e kaluar inflacioni i ushqimeve arriti nivelin më të lartë në dy vitet e fundit.

Ndërsa për disa produkte të caktuara çmimet kanë kapur nivele historike, një situatë që sipas ekspertëve do të vazhdojë gjatë gjithë stinës pasi në tregje mungojnë prodhimet vendase.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA