Qipro, bankat lehtësojnë kufizimet

30/03/2013 17:25

Banka Qendrore e Qipros i lehtësoi disi kufizimet e vendosura pas marrëveshjes së dorëzanisë, duke lejuar përdorimin normal të kartave të kreditit dhe debitit për pagesat e brendshme.

Limiti i shpenzimit të 5.000 eurove për person për blerje jashtë kufijve vazhdon megjithatë të mbetet në fuqi, me qëllimin që të frenohet rrjedhja e kapitalit.

“Çdo ditë do të verifikojmë e do të përpiqemi të zbusim kontrollet për të garantuar sigurinë dhe stabilizimin e sistemit financiar qipriot”, thuhet në një deklaratë të bankës.

Lëvizja e saj është thjesht një përpjekje për ta lehtësuar disi barrën e ekonomisë me bllokimin e daljes së parave nga ishulli.

Tërheqjet e përditshme vazhdojnë të mbeten të kufizuara në 300 euro, konvertimi i çeqeve është i ndaluar dhe transaksionet e bizneseve nuk duhet të kapërcejnë 5.000 eurot në ditë. Kush largohet nga vendi nuk mund të marrë më shumë se 1.000 euro me vete.

Sipas ministrit të Jashtëm, Loannis Kasoulides, kufizimet do të zbuten gradualisht gjatë muajit prill. Megjithatë, ekonomistët mendojnë se kontrollet do të mbeten në fuqi për një periudhë shumë më të gjatë se kaq.

Situata, sado tragjike në vetvete, u arriti për çdo rast të frenohej, tha të premten presidenti Nicos Anastasiade, që sqaroi se Qiproja mundi ta shmangte në këtë mënyrë rrezikun e falimentimit.

Taksa mbi depozitat bankare prej më shumë se 100.000 eurosh u fiksua, sipas televizionit shtetëror, në nivelin shokues të 37,5 për qind.

Në mbarë vendin ka shkaktuar sakaq polemika të mëdha një artikull i së përditshmes “Ethnos”, që publikoi një listë me emrat e ligjvënësve qipriotë, të cilëve tre bankat më të mëdha të ishullit i kanë falur, sipas gazetës, hua që mbërrijnë në miliona euro.

Top Channel