Pas shumë kohësh, qytetarët e Kosovës do të protestojnë të shtunën, në qytetin e Mitrovicës.

Tubimi protestues, i thirrur nga lëvizja Vetëvendosje, do të jetë zëri kundërshtues i marrëveshjes për veriun, e cila pritet të arrihet me 2 prill në Bruksel, mes kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë.

Sheshi “Mehë Uka”, që ndodhet pranë urës kryesore të lumit Ibër, ende me barrikada, është vendi ku do të mblidhen qytetarët, duke filluar nga ora 13:00.

Protesta parashikohet të zgjasë dy orë, pra deri në orën 15:00. Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe nënkryetari, Shpend Ahmeti, pritet të flasin para qytetarëve.

Një ditë para protestës, drejtuesit e Vetëvendosjes kritikuan planin me 8 pika të shefes së diplomacisë europiane, Catherine Ashton. Sipas deputetit Glauk Konjufca, ky plan projekton autonominë për veriun e Kosovës.

“Pika e parë e themelon Asociacionin dhe i jep atij karakterin etnik. Pika e dytë i jep atij autonominë, sepse atë nuk mund ta shpërbëjë askush, ai vetëm mund të shpërbëhet vetvetiu. Kjo do të thotë që Asociacioni është mbi Kuvendin, mbi qeverinë, mbi shtetin dhe mbi Republikën e Kosovës. Pika e katërt i jep atij mundësinë që të ndajë kompetencat me komunat. Pika e pestë i jep atij, po citoj, kontrollin e përgjithshëm strategjik. Ne mendojmë se çështjet e kontrollit strategjik i përkasin gjithnjë shtetit”, tha Glauk Konjufca, deputet i Kuvendit të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje sërish i bëri thirrje qeverisë, që të tërhiqet nga dialogu. Ky subjekt politik është i bindur se marrëveshjet me Serbinë janë të dëmshme dhe, si të tilla, do të dëmtojnë funksionimin e shtetit të Kosovës.

Rrjedhimisht, sipas Vetëvendosjes një pjesëmarrje masive në protestë do të thotë se marrëveshjet nuk kanë mbështetje popullore dhe mbeten çështje private të kryeministrit Thaçi dhe, si të tilla, të mos gjejnë zbatim në terren.

Top Channel