Obama: Të rindërtojmë rrugët

30/03/2013 17:50

Presidenti amerikan Barack Obama e nisi me vizitën në portin e Majemit promovimin e planit të tij për rindërtimin e rrugëve, urave dhe pikave tregtare të vendit.

Bëhet fjalë për një seri masash të cilat Shtëpia e Bardhë mendon se mund të mos jenë në mendjet e republikanëve të fokusuar tek biznesi.

Gjatë ndalesës së shkurtër, Obama sqaroi se angazhimi i punëtorëve të ndërtimit në projektet e infrastrukturës do të ndihmonte në uljen e nivelit të papunësisë dhe Amerika do të ishte më konkuruese në periudhën afatgjatë.

Sektori i ndërtimit ishte ai që u godit më rëndë nga kriza e ekonomisë. Propozimet e presidentit përfshijnë 4 miliardë dollarë investime në rindërtime rrugësh, urash e portesh, për të cilat Obama thotë se nuk janë çështje partiake.

“Të pakta janë gjërat më të rëndësishme në këto momente sesa krijimi i vendeve të reja të punës dhe forcimi i ekonomisë sonë, forcimin e së cilës do ta ndihmonte shumë rindërtimi i infrastrukturës. Dhe kjo nuk ka përse të jetë një ide partizane”, deklaroi Obama.

Presidenti e inkurajoi administratën të punojë me biznesin anembanë vendit me një propozim që ai e quajti “partneritet për të rindërtuar Amerikën”.

Plani, që fillimisht u pëmend në fjalimin e Obamës drejtuar kombit, ka të ngjarë të hase në kundërshtimin e republikanëve në Kongres, ndërsa ligjvënësit po përpiqen që të bien dakort për shkurtimin e defiçitit buxhetor qeveritar.

Top Channel