Moska akuzon Uashingtonin

30/03/2013 00:00

Ministria e Jashtme ruse akuzon Uashingtonin për ndërhyrje në punët e brendshme të vendit, nëpërmjet akordimit të fondeve organizatave joqeveritare, për t’i ndihmuar në këtë mënyrë të përballojnë kufizimet e vendosura nga Moska.

Ankesa e paraqitur nga zëdhënësi i kësaj ministrie, Alexander Lukashevich, pasoi kritikat që Departamenti amerikan i Shtetit i bëri zyrtarëve rusë për bastisjen e zyrave të dhjetëra organizatave joqeveritare këto javët e fundit, përfshirë Amnesty International dhe Human Rights Watch.

Zëdhënësja e DASH, Victoria Nuland i cilësoi një ditë më parë kontrollet në fjalë si “gjueti shtrigash”. Nuland sqaroi se Uashingtoni po i kalon fondet përmes platfomave të tjera jashtë Rusisë.

Aktivistët e të drejtave të njeriut i lidhin bastisjet me ligjin e debatueshëm, që i detyron OJQ-të e financuara nga vende të tjera e të përfshira në politikë që të regjistrohen si agjentë të huaj. Presioni mbi OJQ-të në këtë vend është rritur ndjeshëm që prej rikthimit të Vladimir Putin në Kremlin vitin e kaluar.

Top Channel