Qipro, masat shtrënguese “1 mujore”

29/03/2013 00:55

Ministri i Jashtëm i Qipros ka bërë të ditur se kufizimet për tërheqjet cash nga bankomatet, transferimi i parave dhe lëvizjet e të hollave cash brenda apo jashtë Qipros mund të zgjasin për gati një muaj.

Ioannis Kasoulides tha se kontolli i kapitalit mund të hiqet gradualisht, duke u shfaqur në kundërshtim me vlerësimet e mëparshme se frenimi do të përfundonte brenda pak ditësh.

Ai foli në fund të ditës së parë të operacioneve, pas krizës gati 2-javore që ka goditur bankat e vendit. Më herët, presidenti lavdëroi qipriotët, të cilët qëndruan në radhë në mënyrë paqësore për të tërhequr paratë e tyre.

Nicos Anastasiades lavdëroi “maturitetin dhe përgjegjësinë” e vendit, në ditën kur shumë njerëz ishin drejtuar nëpër banka, për të patur akses në depozitat e tyre bankare.

Qeveria emëroi 3 ish-gjykatës së Gjykatës Supreme, për të hetuar aktivitetin e mundshëm kriminal që shkaktoi këtë krizë.

Kontrolli i ashpër mbi kapitalin u vendos pas marrëveshjes për dorëzaninë prej 10 miliardë eurosh me BE-në dhe FMN-në. Tërheqjet mbi 300 euro janë të ndaluara, ndërkohë që janë vendosur limite edhe për transferimin e parave.

Degët e bankave janë furnizuar me të holla cash gjatë natës, teksa policia është vënë në gadishmëri, për shkak të frikës së grabitjes së bankave.

U krijuan radhë të gjata në hyrjet e disa bankave, por përgjithësisht atmosfera ishte e qetë. Degët e bankave u rihapën gjatë mesditës së të enjtes dhe u mbyllën sërish mbasdite.

Disa prej tyre nuk u hapën në kohë, duke shkaktuar tension mes individëve, që prisnin jashtë tyre për të tërhequr para. Radhët më të gjata u formuan jashtë degëve të bankës Laiki, e cila është deklaruar e falimentuar.

Top Channel