OKB, gati të mposhtë rebelët në RD të Kongos

29/03/2013 00:00

Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka miratuar krijimin e një force speciale luftarake për kryerjen e operacioneve sulmuese ndaj objektivave kundër grupeve të armatosura në lindje të Republikës Demokratike të Kongos.

Kjo është hera e parë, që OKB i ka dhënë një mandat për ofensivë trupave të saj. Brigada e fuqishme prej 2500 trupash ka marrë detyrën për të “neutralizuar dhe çarmatosur” rebelët.

Forcat ekzistuese paqeruajtëse prej 20 mijë trupash të OKB-së janë kritikuar gjerësisht si joefektivë, për shkak se nuk i kanë dhënë fund luftës së gjatë 20-vjeçare.

Ushtarë nga Tanzania, Mozambiku dhe Afrika e Jugut priten të formojnë bërthamën e brigadës së re, e cila do të nisë aksionet e saj nga muaji korrik.

Pasuritë minerale të rajonit janë plaçkitur nga grupe të shumta dhe vende të ndryshme, gjatë këtij konflikti të gjatë.

Në rezolutën, e adoptuar unanimisht nga Këshilli i Sigurisë, thuhet se forcat e reja do të operojnë “në një mënyrë të fuqishme, tepër të lëvizshme dhe të gjithanshme… për të parandaluar zgjerimin e grupeve të tjera të armatosura, për neutralizimin e këtyre grupeve dhe çarmatosjen e tyre”.

Top Channel