
Prokuroria e Krimeve të rënda ka nisur hetimet për nxjerrje të sekretit hetimor ndaj grupit të hetimit që po ndjek çështjen ndaj Ardian Prrenjasit si dhe ndaj gazetarëve që raportuan dëshminë e tij të dhënë në polici dhe në organin e akuzës.
Çështja duhej të hetohej në fakt nga Prokuroria e kryeqytetit, por është shpallur moskompetenca dhe dosja i ka kaluar Prokurorit të Krimeve të Rënda, Behar Dibra, i cili do delegohet për këtë cështje në Prokurorinë e Tiranës.
Ndërkohë mësohet jo zyrtarisht se është bllokuar kompjuteri i prokurorit të çështjes Ervin Karanxha. Dëshmia e Ardian Prrenjasit për të cilën u tha se ishte raportuar në bazë të një proces-verbali ku jepeshin detaje për abuzimin ndaj një të mituri, u bë objekt diskutimi edhe në media, ndërsa më pas këto hetime i paralajmëroi gjatë një daljeje publike edhe Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla që deklaroi se askush nuk mund të marrë rolin e prokurorit dhe nuk mund të shkelë etikën.
Kohët e fundit nxjerrja e sekretit hetimor ka patur nën hetim disa gazetarë që mbulojnë prokurorinë, vecanërisht për dosjen gjyqësore ndaj bandës së Lulzim Berishës, e më tej publikimin e të dhënave hetimore për dosjen “Gërdeci” si dhe “21 janari”, të gjitha këto të pushuara më pas nga prokuroria.
Top Channel