Liderët e partive parlamentare në Kosovë pajtohen që, edhe në zgjedhjet e ardhshme të votohet me lista të hapura, siç ndodhi në zgjedhjet e kaluara.
Kryetari i Partisë Liberale serbe, Sllobodan Petroviç, pas takimit që zgjati disa orë, tha se ka pasur gjithashtu pajtim, që pragu zgjedhor të jetë 5% për partitë, 3% për kandidatët e pavarur dhe 7% për koalicionet.
Çështja, e cila ka nxitur më shumë debat në këtë takim, mes Thaçit, Mustafës, Kurtit, Haradinajt e Pacollit, është kërkesa e serbëve dhe pakicave të tjera, që t’i mbajnë vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës, edhe për dy mandate të tjera.
Kjo çështje kërkon ndryshimin e Kushtetutës, sepse vendeve të rezervuara iu ka përfunduar mandati. Petroviç tha se, për këtë ka përafrim qëndrimesh me të gjithë liderët partiakë, me përjashtim të Albin Kurtit, i cili është kundër vendeve të rezervuara në Kuvend.
“Kërkesa jonë është përkrahur edhe nga ambasadorët e vendeve të kuintit në Kosovë. Kjo është në interes të shoqërisë kosovare. Ne jemi të sigurt se, gjatë proçesit të dialogut Prishtinë-Beograd, do të kemi një mesazh shumë pozitiv, sa i përket integrimit të komunitetit të pakicave në institucionet e Kosovës, në veçanti komunitetit serb. Nëse e kemi parasysh faktin se në proçesin e dialogut, në përqindje të madhe flitet për integrimin e pjesës veriore dhe komunitetit serb, ne jemi të sigurt se pranimi i kësaj kërkese jep një rekomandim tepër pozitiv për qytetarët tanë të pjesës veriore”, tha Sllobodan Petroviç, zëvendëskryeministër i qeverisë së Kosovës.
Ndërsa kryetarët e partive të tjera nuk folën para gazetarëve, Kurti shpalosi detaje të takimit, përfshi edhe një deklaratë të Behgjet Pacollit, se pas 2 prillit do të ndryshojë legjislacioni i Kosovës.
Kurti tha se qeveria Thaçi është duke pritur takimin me Daçiçin në Bruksel, për të marrë vendim për vendet e rezervuara të serbëve dhe pakicave të tjera.
“Njerëzit e qeverisë kërkonin që, për këtë çështje, të pritet edhe pak, sepse janë disa zhvillime madhore, duke aluduar për 2 prillin. Ne, jo vetëm që jemi për mospasjen e vendeve të rezervuara në vazhdim, por jemi kundër pasjes së tyre, sepse është diskriminim. Ato e shkelin parimin e votës”, u shpreh Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Liderët e partive në Kosovë u pajtuan gjithashtu, që përfaqësimi i grave në Kuvend të mbetet në 30 përqind.
Top Channel