Ekzekutimi mesjetar në Arabinë Saudite

29/03/2013 00:00

Ndonëse në shekullin e XXI, Arabia Saudite vazhdon të ndjekë metodat mesjetare në ndëshkimin e veprave të rënda penale.

Kështu, një vrasës u ekzekutua ditën e premte me prerje koke, por trupi i tij i pajetë më pas u kryqëzua dhe u përdhos në një shesh publik.

Lajmi për ekzekutimin e shtetasit jemenas Mohammed Rashad Khairi Hussain u njoftua nga vetë ministri i Brendshëm.

Krimi i Hussain ngjalli revolta kombëtare në Arabinë Saudite, pasi sipas akuzës, ai përdhunoi dhe vrau një pakistanez, Pashteh Sayed Khan.

Secili prej këtyre dy krimeve është i dënueshëm me vdekje në Arabinë Saudite. Jemenasi u shpall fajtor edhe për grabitje dhe disa krime të tjera më të vogla.

Ndonëse është kritikuar ashpër për metodat e ekzekutimeve, vendi më i madh eksportues i naftës në botë nuk është tërhequr dhe vetëm në tre muajt e parë të 2013-s, janë ekzekutuar me prerje koke 28 persona.

Megjithatë, disa zyrtarë sauditë kritikuan më parë gjatë marsit ekzekutimin e kësaj forme, duke sugjeruar atë me pushkatim.

Gjithsesi, propozimi i tyre nuk lidhej me arsye humanitare, por me vështirësitë dhe kostot e mëdha të trajnimit dhe formimit të xhelatëve.

Një vit më parë, në Arabinë Saudite, 76 persona u ekzekutuan me prerje koke me shpatë, në ekzekutime që zhvillohen në publik. Ky lloj ekzekutimi, së bashku me gurëzimin në rastet e krimeve morale, janë dy format e realizimit te denimit me vdekje ne vend.

Këto ekzekutime publike, pavarësisht mizorisë së tyre, konsiderohen një mënyrë efikase e parandalimit të krimit në Arabinë Saudite. Në bazë të ligjit islamik, të dënueshme me vdekje janë veprat penale si vrasja, përdhunimi, blasfemia, grabitja e armatosur, tradhëtia bashkëshortore, tradhëtia ndaj mbretit dhe trafiku i drogës.

Top Channel