Koreografi i njohur shqiptar, Gjergj Prevazi, u keqtrajtua pa asnjë arsye të vlefshme nga doganierët maqedonas, në tentativë për të kaluar kufirin gjatë një udhëtimi për në Shkup.

Duke qenë i informuar për marrëveshjen mes Maqedonisë dhe Shqipërisë për lëvizjen pa pasaporta, koreografi shqiptar po udhëtonte drejt Shkupit vetëm me kartë identetit.

Por, në pikën kufitare Bllacë, pasi ka kaluar kontrollet e policisë, atë e ka ndaluar një doganier, i cili e ka mbajtur në kufi për dy orë duke i kërkuar pasaportën.

“Kam përshtypjen se është diçka e qëllimshme sepse u duk i qëllishëm ai doganieri. Jam kontrolluar sikur të isha trafikant droge apo armësh. Mbase policia e ka për detyrë të kontrollojë, por nuk besoj që tek një artist mund të ketë kaq dyshime. Për më tepër kërkesa ishte absurde dhe jo logjike. Kërkohet pasaporta, kur marrëveshja është që lejohet lëvizja me kartë identiteti. Në fund fare, unë e kalova kufirin po me kartën e identitetit”, tha Prevazi për “TCH”.

Koreografi Prevazi bën thirrje që institucionet e Maqedonisë të respektojnë marrëveshjet e arritura me Shqipërinë.

“Policia dhe doganieri është fytyra e vet shtetit, nuk është thjesht një veprim i rastësishëm. Unë do të isha lutur drejtorit të doganave të Maqedonisë që ta identifikojë rastin. Nuk është problemi për mua induividualisht, por me cfarë të drejtë ndokush merr nga koha ime 1 orë e gjysëm pa arsye, pse? Ky është një apel për ata që kanë marrë përsipër të respektojnë marrëveshjet ndërfqinjësore dhe ndërnjerzore”, shtoi koreografi.

Aktualisht, artisti Prevazi është duke punuar në një shfaqe për fëmijë në Qendrën Teatrore në Shkup.
 

Top Channel