Zhdukja e biznesmenes skoceze

28/03/2013 01:50

Zhdukja dhe, siç dyshohet, vdekja e një biznesmeneje skoceze, përpara dy vjetësh, bëri që të lakoheshin emra shqiptarësh, si njerëz që kishin gisht në këtë ngjarje.

Lynda Spence, një këshilltare financiare, ka qenë e dashura e një biznesmeni shqiptar, Sokol Zefaj, që ka pas banuar në Skoci dhe që aktualisht jeton në Shqipëri.

Fillimisht u dyshua se Zefaj mund të kishte gisht në zhdukjen e saj, madje në proces u fol edhe për mundësinë e pranisë së skocezes në Shqipëri.

Dyshime pati se ajo mund të kishte qenë e infiltruar e policisë kundër Sokol Zefajt. Por, gjatë procesit, ku katër shtetas skocezë janë paditur për zhdukjen dhe vrasjen e saj, nga të cilët dy prej tyre e kanë pranuar tashmë rolin e tyre në rrëmbimin dhe torturimin e saj, prokurorja e çështjes ka hedhur poshtë pretendimet e palës mbrojtëse, për përfshirje të shqiptarëve, gangsterëve, dhe për faktin se biznesmenja ka qenë informatore e policisë.

Sipas shtypit skocez, në proces, prokurorja Lesley Thomson ka thënë se “shqiptaret nuk kanë luajtur rol fare në vdekjen e saj”. E vërteta, sipas Thomson, është më e dhimbshme dhe është e lidhur me Skocinë.

Në proces është thënë se, ajo është rrëmbyer dhe mbajtur e lidhur në papafingon e një shtëpie në Skoci, nga katër të akuzuarit skocezë, ku është vrarë pas katër ditësh mizorie dhe dhimbjesh të shkaktuara.

Në këtë proces gjyqësor, ka ardhur në Skoci nga Shqipëria, me dëshirën e tij, përpara disa javësh, për të dëshmuar edhe Sokol Zefaj, ish i dashuri i biznesmenes skoceze.

Ai, në proces si dëshmitar, ka mohur se Lynda Spence ndodhet në Shqipëri, sipas dijenisë së tij. Sokol Zefaj, i cili jeton në gjendje të lirë në Shqipëri, pas dëshmisë në seancën gjyqësore në Gllasgou, është kthyer sërish në Shqipëri.

Dënimi për skocezët e dyshuar për vrasjen, pritet të jepet javën e ardhshme.

Top Channel