
Gjykata themelore në Mitrovicë dënoi të enjten tre nga gjashtë serbët të cilët po gjykoheshin për sulm ndaj godinës së gjykatës në veri të Mitrovicës.
Rasti ka të bëjë me trazirat e muajit mars 2008, kur gjykata u sulmua nga një numër i madh njerëzish, duke shkaktuar vdekjen e një polici ndërkombëtar nga Ukraina.
EULEX-i njoftoi nëpërmjet një komunikate se të pandehurit u shpallën fajtorë për disa pika të akuzës dhe saktësoi se:
I akuzuari Marijan Ilinçiç mori një dënim prej një viti e dhjetë muaj burgim; i akuzuari Zoran Çaviç nëntë muaj burgim (ky dënim është me kusht për një vit); ndërsa i akuzuari tjetër Dragan Milojeviç një vit e gjashtë muaj burgim.
Të pandehurit Miodrag Raliç, Avni Krasniqi dhe Nebojsa Joviç u çliruan nga të gjitha akuzat. Gjyqtarët ndërkombëtarë e patën të vështirë të merrnin këtë vendim për shkak se gjatë gjithë ditës serbët mbajtën të bllokuar selinë e gjykatës në veri. Kundër kësaj situate reagoi KFOR-i.
Nëpëmrjet një komunikate misioni bëri thirrje për përmbajtje nga të gjitha palët e përfshira në protestë rreth pritjes së vendimit të gjyqit në Mitrovice.
“Deri sa KFOR-i synon të mbajë ambient të qetë dhe të sigurt, ku dialogu inkurajohet, nuk do të tolerohen aktet e dhunshme”, thuhej në komunikatën e misionit të NATO-s.
Top Channel