Të paktën 57 mijë e 556 persona kanë aplikuar për të marrë statusin e veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 5 mijë e 721 të tjerë për statusin e invalidit dhe 3 mijë e 62 familje pretendojnë se të rënët e tyre janë dëshmorë.

Kështu ka bërë të ditur Agim Çeku, kryetar i Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjestarëve dhe të internuarve të UÇK-së. Për shkak të kësaj shifre, Çeku ka bërë të ditur se është nxjerrë një rekomandim që do t’i dërgohet Qeverisë së Kosovës, për të plotësuar ligjin. Përmes këtij rekomandimi kërkohet që të bëhet kategorizimi i veteranëve të UÇK-së. Aty do të përfshihen veteranët invalidë të UÇK-së, pastaj luftëtarët që kanë qenë të uniformuar dhe të armatosur. Më tej, sipas rekomandimit, kategoria tjetër ku do të përfshihen personat që për shkak të veprimtarisë së tyre si pjesëtarë të UÇK-së janë arrestuar e mbajtur në burg ; pjesëtarët që nuk kanë qenë të uniformuar, por me vendim kanë kryer detyra në mbështetje të UÇK-së dhe ata ushtarë që për arsye të ndryshme nuk kanë qëndruar në UÇK deri në momentin e përfundimit të luftës.

“Ky është një rekomandim dhe ne do t’i dallojmë vërtetë se kush ka qenë luftëtar, kush pjesë e UÇK-së, kush ka qenë invalid i luftës, kush ka qenë dëshmor i kombit e kush i burgosuri apo i internuari i UÇK-së. Pra UÇK-ja po shihet se ka qenë e madhe, por një pjesë ka qenë vërtet në luftë, por një pjesë e madhe ka qenë mbështetje e tyre në forma të ndryshme. 57 mijë, por ne e dimë se nuk kanë qenë aq shumë ushtarë dhe ne pretendojmë për kategorizimin, do t’i ndajmë luftëtarët nga pjesëtarët e UÇK-së”, deklaroi Ceku.

Çeku ka thënë se verifikimi do të fillojë shumë shpejt dhe do të jenë komandantët e zonave të cilët do të thirren për këtë proces: “Komandantët sigurisht se nuk do të vijnë me duar në xhepa. Ata i kanë evidencat e veta, çdo zonë e ka arkivën e vet, i ka listat e veta. Komandanti i brigadës, komandanti i togut e dinë sa ushtarë i ka pasur. Ata do ta kenë aplikacionin në dorë dhe provat e tyre. Kështu që nuk do t’i njihet statusi askujt në bazë të një nënshkrimi, por në mënyrë të përbashkët komanda e njësisë do të marrë vendim për çdonjërin”.

Se sa do të zgjasë ky proces, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, aktualisht ministër për FSK-në, thotë se Komisioni nuk do të punojë nën presionin e kohës, por nën presionin e saktësisë. Ndërsa, për beneficionet e mundshme për ndonjë kategori, Çeku tha se për këtë vendosin institucionet përmes ligjit dhe se nuk është në fushën e këtij komisioni.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA