Vangjel Kozma – Zbulimi dhe më pas arrestimi i monstrës pedofile A. Prrenjasi është bërë lajmi më tronditës në shtypin dhe median tonë. Reagimi ka qenë i ashpër dhe i plotë, pasi krimi është drejtuar në mënyrën më barbare ndaj pjesës më të ndjeshme të shoqërisë, fëmijëve.
U dhanë dhe vazhdojnë të jepen intervista, opinione, analiza dhe thirrje për solidaritet social ndaj të dëmtuarve. U riaktivizua debati për dënimin me vdekje dhe politika reagoi në mënyrën më formale të mundshme, duke ndryshuar Kodin Penal.
Deri këtu, gjithçka duket normale, po ndërkohë një tjetër lajm, po kaq makabër po me përmasa shumë më të mëdha se ai i pari, kaloi vetëm me një reagim të emisionit “Fiks Fare”. Dhjetëra fëmijë në Kodovjat të Gramshit, u përdhunuan në mes të ditës, në mes të shiut dhe përdhunuesi ishte SHTETI. Me arrogancën e një monstre pedofile, shteti nxori fëmijët nga shkolla, dhe bashkë me mësuesit tutorë të neveritshëm dhe të mjerë, i dërgoi në haremin e përdhunimit masiv, në një ceremoni inaugurimi të një rruge fshati ku do të fliste kryeministri.
Aty në mes të shiut, fëmijët iu nënshtruan terrorit psikologjik dhe torturës fizike, të përzënë dhunshëm nga bankat e shkollës, pa pyetur dhe njoftuar prindërit e tyre, të shoqëruar nga mësuesit përdhunues dhe të përdhunuar dhe ç’është më e keqja, kjo skenë kriminale u përcoll në media si një ceremoni festive e një arritjeje tjetër të qeverisë.
Ashtu si në rastin e monstrës Prrenjasi, krimi dhe skena ishin të njohura dhe të përsëritura, po as drejtësia, as shoqëria nuk reagoi dhe nuk ngriti zërin për dënimin e fajtorëve. Ndërkohë që fajtorët jo vetëm nuk fshihen, po deklarohen pa pikë frikë dhe turpi, se këtë përdhunim masiv e bëjnë ata, se ata janë pedofilët e pushtetshëm të këtij farë shteti.
Janë po të njëjtat figura që prej vitesh shfaqen në ekrane duke përqafuar dhe duke puthur fëmijët e mbledhur forcërisht nëpër mitingjet e tyre idiote, dhe në jo pak raste, janë vetë prindërit që me krenari kafshërore ua zgjatin pjellat e tyre, përdhunuesve t’i përqafojnë, t’i puthin dhe të marrin bashkë me ta “pozat më të bukura” për të retushuar portretin e tyre të stërkonsumuar.
Ka mendime, se pedofilia nuk është vetëm e lindur, po zhvillohet ose nga mungesa e jetës seksuale, ose nga tepria e saj. Në rastin e pedofilëve tanë të pushtetit, është kjo e fundit, pasi ata janë tejngopur me përdhunimin e shtetasve adultë dhe tani iu janë vërsulur fëmijëve.
Edhe skema e ndërtimit të kësaj strukture kriminale është e njohur dhe e shpallur. Ajo është vetë struktura e shtetit. Në krye të kësaj piramide pedofilie qëndron kryeministri së bashku me kryetaren e Parlamentit e më poshtë vjen ministri eunuk i Arsimit dhe Shkencës (!), shefat e seksioneve të arsimit në rrethe, drejtorët militantë dhe injorantë të shkollave, mësuesit pa asnjë dinjitet dhe integritet personal dhe profesional, po edhe lukunia e burrave dhe grave të OJF-ve që fondet e akorduara për mbrojtjen e fëmijëve, i harxhojnë për të fshehur plasaritjet e menopauzës së tyre sfilitëse.
Nga kjo strukturë nuk mund të pritet asgjë veç asaj që kanë bërë këto dy dekada. Edhe nga sistemi i drejtësisë, prokuroria, policia dhe gjykatat nuk mund të pritet tjetër gjë veç asaj që kanë bërë gjithmonë: mbylljes së syve dhe shfajësimit të fajtorëve. Po interesante dhe e pajustifikueshme është heshtja e Avokatit të Popullit, i cili gjen kohë të referojë nëpër konferenca “të pabukta” për integrimin europian të shoqërisë shqiptare dhe nuk bën një gjë fare të thjeshtë, denoncimin në prokurori të pedofilëve përdhunues.
Kjo, sigurisht që nuk do ta zgjidhë problemin, pasi drejtësia shqiptare ka aftësinë të mos shikojë atë që e shikon çdokush, krimin e hapur dhe flagrant, po një denoncim në prokurori nga Avokati i Popullit për përgjegjësit direkte dhe indirekte të këtij krimi, të paktën do të konsiderohet si një shpresë.
Jemi në fillim të fushatës së re të përdhunimit tonë dhe veçanërisht të fëmijëve, prandaj çdo veprim kundër këtij krimi të njohur dhe të pritshëm është i dobishëm. Kjo është përpjekja për t’i rënë murit me kokë, dhe ne jemi mësuar se muri nuk shembet në këtë mënyrë, po ama, rrëzimi i murit me kokë, na duhet qoftë dhe si aspiratë.
Top Channel