Protesta në Qipro kundër BE

28/03/2013 01:20

Me qindra vetë u mblodhën përpara selisë së BE-së në kryeqytetin e Qipros, Nikozi, për të protestuar ndaj dorëzanisë së Bashkimit Europian, kushti kryesor i së cilës ishte taksimi i depozitave bankare.

Pasiguria financiare për shtetin-ishull ende nuk ka marrë zgjidhje. Pavarësisht se shmangu falimentimin dhe e siguroi paketën 10 miliardë euro të shpëtimit, vështirësitë ekonomike të qipriotëve mund të jenë vetëm fillimi.

Ekonomistët thonë se vendi do të paguajë një çmim të lartë, me rritjen e papunësisë, falimentime dhe një krizë të kredive, ndërsa përpiqet të nxjerrë nga bataku bankat e tij në rrezik.

“Jam e indinjuar me atë që po ndodh. Cili do të jetë vendi i radhës, Malta? Spanja? Kush do të jetë vendi tjetër, me të cilin do të eksperimentojnë? Nuk ka Bashkim Europian, njerëzit duhet ta kuptojnë këtë, është një farsë. Kushdo që dëshiron të hyjë në BE, duhet të mendohet mirë”, tha Christalla Kyriakou.

“Përse jemi të zemëruar? Po, sepse kjo nuk është një Europë solidare, kjo nuk është një Europë që të mbështet. Kjo nuk është Europa, tek e cila besonim të gjithë, që i gjendet pranë anëtarëve në nevojë. Ne, njerëzit e mbledhur këtu, po demonstrojmë, sepse ndajmë bindjen që masat e marra kundër qipriotëve janë të pamoralshme dhe të padrejta. Shpresojmë që zëri i popullit do të dëgjohet, qartë dhe fort”, tha Andrea Kyriakou.

Bankat e Qipros do të qëndrojnë të mbyllura deri të enjten, një përpjekje për të shkurajuar klientët, që duan të tërheqin parà, dhe të atyre, që mendojnë të tërheqin krejtësisht depozitat e veta, nga bankat me probleme.

Disa ekspertë, megjithatë, mendojnë se dëmi tashmë është bërë. Autoritetet mund të vendosin ndërkohë një kufi për shumat e parave, që mund të transferohen jashtë kufijve, e po diskutojne edhe bllokimin e çeqeve.

Më herët, u njoftua pezullimi i shefi ekzekutiv të Bankës së Qipros, Yiannis Kypri, institucionit më të madh huadhënës të vendit.

Edhe pse u diskutua se largimi i tij kishte qenë një kërkesë e trojkës, zëdhënësi i Komisionit Europian i mohoi shumë shpejt të tilla pretendime, duke sqaruar se një vendim të tillë mund ta merrte vetëm banka vetë.

Top Channel