New York, 10-vjetori i ligjit antiduhan

28/03/2013 00:40

New York City shënon 10-vjetorin e ndalimit të duhanpirjes në vende publike të mbyllura, ndërsa zyrtarët thonë se kjo lëvizje ka shmangur 10 mijë vdekje të parakohshme.

Kryebashkiaku Michael Bloomberg tha se “sa më pak të tymosin nju-jorkezët, aq më gjatë jetojmë ne”. Ai shtoi se frika e kritikëve, se ndalimi i pirjes së duhanit do të dëmtonte bizneset e restoranteve dhe bareve, ka rezultuar e pabazuar.

Gjithsesi, nisma e fundit e kryebashkiakut, për të ndaluar shitjen e pijeve me përmbajtje të lartë sheqeri, është bllokuar nga një gjykatë.

Më herët gjatë këtij muaji, gjykata e përshkroi masën si “arbitrare dhe kapriçioze”, pasi grupet industriale paditën qytetin. Bloomberg, prej atëherë, u zotua të apelonte kundër vendimit.

“10 vite më parë, kur New York City ndaloi pirjen e duhanit në restorante dhe bare, shumë veta parashikuan fundin e industrive spitalore, të restoranteve dhe turizmit”, tha kryebashkiaku në një deklaratë të së mërkurës, që shënonte prezantimin e Ligjit për Ajër të pastër nga Duhanpirja (Smoke-Free Air Act) në 2003.

“Tashmë, 10 vite më vonë, shumë më pak nju-jorkezë janë duhanpirës, ne jemi duke jetuar më gjatë, industritë tonë po lulëzojnë dhe askush nuk dëshiron rikthimin e bareve apo restoranteve të mbushur plot me duhanpirës”.

Një raport i publikuar nga departamenti i shëndetësisë së New York-ut, bënte të ditur se numri i duhanpirësve të rritur ka rënë me 15% në 2011, nga 21,5% në 2002, por zyrtarët paralajmërojnë se duhanpirja është sërish një nga shkaqet kryesore të vdekjeve të parakohshme në qytet.

Në fillim të këtij muaji, Bloomberg zbuloi planet për t’u kërkuar dyqaneve të fshehin produktet e duhanit nga shfaqjet publike, duke argumentuar se ky veprim mund të ndihmojë në uljen e mëtejshme të numrit të duhanpirësve, sidomos mes të rinjve.

Kryebashkiaku dëshiron gjithashtu të ndalojë me ligj aksesin ndaj cigareve të lira dhe ilegale.

Top Channel