Kanë kaluar gati dy javë nga zhdukja pa lënë gjurmë, e gjeometrit Vittorio Danese dhe një miku të tij shqiptar, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur.

Dy personat janë nisur nga Brindisi drejt Vlorës, me një barkë të vogël të tipit Thompson 34, rreth dhjetë metra të gjatë. Sipas kontratës së marrjes me qira të barkës, dy personat duhet të ktheheshin në Brindisi më datën 18 mars.

Pasi gruaja e 41-vjeçarit italian ka paraqitur padi për zhdukjen e tij, kanë filluar kontrollet e para si nga Kapiteneria e portit, ashtu edhe nga Policia. Është vërtetuar se telefonat celularë kanë dhënë sinjal për herë të fundit nga deti, pikërisht në rrugën detare drejt Shqipërisë.

Pak ditë më parë, forcat e rendit u mobilizuan, sepse në bregdet u zbulua një mjet lundrues, që mendohej se mund të ishte ai i kërkuari prej ditësh. Por më pas u zbulua se ishte një barkë e braktisur, e përdorur për transportimin e emigrantëve të paligjshëm.

Kapiteneria e Portit të Brindisit konfirmon se, me rastin po merret edhe prokuroria dhe se hetimet nuk përjashtojnë asnjë hipotezë. Hipoteza, mbi të cilat, tani për tani, nuk jepet asnjë detaj.

Top Channel