Mungesa e çertifikatës së analizës së aflatoksinës është gjetur si argument për bllokimin e një sasie prej 135 tonë miell që vinte nga Kosova në Shqipëri.
Kjo ndodh vetëm një ditë pasi doganat kosovare kthyen 23 tonë qumësht prodhim shqiptar. Bllokimi i miellit është bërë nga Agjencia Kombëtare e Ushqimit në Kukës, në pikën e kalimit kufitar të Morinës.
Ngarkesa, sipas drejtorit lokal të AKU-t, nuk është e shoqëruar nga çertifikata e cila saktëson përmbajtjen e saktë të aflatoksinës.
Ministria e Bujqësisë ka nxjerrë në fillim të marsit një urdhër që detyron importuesit e miellit të pajisen me këtë analizë, ku janë njoftuar të gjitha subjektet që merren me prodhimin dhe tregëtimin e miellit.
“Deri në momentin që ata të sjellin analizën nga Prishtina, ngarkesat do të jenë të bllokuara. Edhe në rast të marrjes së fletës të analizës, ne me këtë kontigjent kemi detyrimin që të kryejmë proçedimet ligjore dhe të marrim masa për analizë. Deri në ardhjen e përgjigjes, subjekti nuk ka të drejtë të tregtojë këtë kontigjent”, deklaroi Bilbil Myftari, drejtor i AKU-t në Kukës.
Bllokimet në doganën e Morinës kanë nisur paradite dhe janë ndalur dy ngarkesat e para me 60 tonë miell dhe e dyta me 75 tonë miell. Kamionët me miell i përkasin kompanisë kosovare “M-Sillos”.
Sasia e miellit që eksportohet në Shqipëri çdo muaj nga kjo kompani, sipas tyre, është afër 2 mijë ton. Vendi i origjinës së miellit që vjen në tregun kosovar e më pas në atë shqiptar është Serbia.
Top Channel