Gjykatësi i Sarkozy kërcënohet me vdekje

28/03/2013 15:40

Gjykatësi që pranoi nisjen e një procesi ndaj ish-Presidentit të Francës, Nicolas Sarkozy, u kërcënua me vdekje me disa gëzhoja të gjendura në kutinë e tij postare në Bordo, informuan të enjten mediat franceze.

Së bashku me gëzhojat, në kutinë postare ishte vendosur edhe një letër adresuar gjykatësit Jean-Michel Gentil, në të cilën kërcënoheshin edhe pjesëtarë të tjerë të trupit gjykues.

Policia e qytetit jugperëndimor të Bordosë ka nisur hetimet mbi këto kërcënime.

Një javë më parë, gjykata vendosi të pranonte kërkesën e prorkurorisë për të ndjekur penalisht Nicolas Sarkozy, për disa kontribute të paligjshme financiare të pranuara nga pronarja miliardere e “L’Oreal”, Liliane Bettencourt, për të ndihmuar në financimin e fushatën zgjedhore të vitit 2007.

Nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës, Sarkozy ka informuar se do të apelojë vendimin e gjykatës për nisjen e procesit kundër tij.

Top Channel