Doktoresha e vdekjes

28/03/2013 00:00

Virginia Soares de Souza njihet ndryshe në Brazil si “Doktoresha e Vdekjes”. Aktualisht ajo akuzohet për vdekjen e 7 pacienteve në Spitalin Evangjelist të Kuritibas, por dyshohet për eleminimin e 300 personave, me qëllimin e vetëm: të lironte krevatet e spitalit.

Bashkë me të akuzohen edhe gjashtë mjekë të stafit të saj, si dhe një infermier. Mjekja 56-vjeçare u arrestua më 19 shkurt, por u la e lirë me kusht të enjten e kaluar në pritje të akuzës.

Të mërkurën, prokurorët kërkuan një tjetër urdhër-arresti, sepse ekziston rreziku i dëmtimit të provave. Mario Lobato, që drejton hetimin për llogari të Ministrisë së Shëndetësisë braziliane, shpjegoi se të 7 pacientët humbën jetën në rrethana shumë të ngjashme.

Fillimisht atyre u është injektuar medikamenti “Pavulon”, që qetësonte muskujt dhe më pas bëhej e domosdoshme frymëmarrja artificiale. Pikërisht në këtë pikë kufizohej oksigjeni dhe pacientët vdisnin të asfiksuar.

Doktoresha Soares de Souza ishte shefja e departamentit të Terapisë Intensive në Spitalin Evangjelist, në shtetin e Paranas, prej vitit 2005.

Hetuesit deklaruan se do të paraqesin 1.700 raste vdekjesh, që kanë ndodhur prej kësaj datë e deri tani. Doktoresha deklarohet e pafajshme.

Kundër saj është dëshmia e infermierit Silvio De Almeida, i cili i tha televizionit Globo se: “Ajo ndjehej si të ishte Zoti. Bënte atë që donte dhe po kështu vepronin dhe mjekët e tjerë”.

Nëse do të vërtetohet se ajo ka vrarë 300 pacientë, ajo mund të kalojë edhe britanikun Harold Shipman, i cili ka vrarë me mbidozë morfine 297 pacientë, prej marsit 1995-1998 në Hajd, në afërsi të Mançesterit. Në vitin 2000 ai u dënua me 15 dënime të përjetshme dhe katër vjet më pas u vetëvra në burgun e Ueik Filldit.

Top Channel