Tensione në Gadishullin Korean

27/03/2013 00:00

Tensionet po përshkallëzohen në Gadishullin Korean. Sanksionet e fundit të Kombeve të Bashkuara për testin bërthamor të 12 shkurtit dhe stërvitja mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut e nxitën Penianin të bllokojë pikë-kalimin që lehtëson punëtoret koreano-jugorë të mbërrijnë në kompleksin industrial në Kaesong.

Po kështu u mbyll edhe një tjetër pikë ndërlidhjeje në Zonën e Çmilitarizuar që ndan dy Koretë. Një ushtarak koreano-verior, i cituar nga agjensia shteterore KCNA tha se “në këtë situatë, kur lufta mund të nisë në cdo moment nuk është e nevojshme të ruajmë lidhjet mes Veriut dhe Jugut”.

Masat e ashpra të Penianit vijnë pasi Presidentja koreano-jugore, Park Geun Hie shpalosi politikat për vendin fqinj, me qëllimin për të vendosur paqen dhe bazat e ribashkimit, duke rikthyer besimin”.

Edhe në të kaluarën, ajo kishte shprehur dëshirën për më shumë dialog me Korenë e Veriut, por tensionet e fundit nuk bëjnë gjë tjetër vecse përkeqësojnë marrëdhëniet mes dy Koreve”.

Përmes një deklarate, të publikuar nga agjensia shtetërore e lajmeve KCNA iu drejtua presidentes Park Geun Hie se “çdo fjalë e gabuar prej saj mund të sjellë një katastrofë, pikërisht kur marrëdhëniet mes dy vendeve kanë arritur pikën më të ulët”.

Të martën, Peniani vendosi në pozicioni luftimi njësitë ushtarake të cilat do të vinin në shënjestër bazat amerikane në Shtetet e Bashkuara të Amerikes, Hauai dhe Guam. Zëdhënësi i Pentagonit, Xhorxh Litëll tha se kërcënimet e Penianit kanë vetëm një synim; rritjen e tensioneve sepse autoritetet e këtij vendi janë të vetëdijshëm se nuk mund të arrijnë asgjë prej tyre”.

Të martën, media shtetërore koreano-veriore raportoi se byroja politike së shpejti do të zhvillojë një mbledhje të jashtëzakonshme, për të çuar më tej revolucionin korean.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA