Rusia konsideron se Serbia nuk ka fituar asgjë me bisedimet me Kosovën dhe se asgjë nuk ka shkuar në bazë të kërkesave të saj.

Por, siç thotë ambasadori rus Aleksandar Cepurin, më e rëndësishmja është që Serbia të sigurojë të drejta ligjore për serbët në Kosovë.

“Nuk mjafton vetëm buzëqeshja e Catherine Ashton. Por, detyrë e Serbisë është që serbët të jetojnë jo vetëm për 10 por edhe pas 200 vjetësh në Kosovë”, ka thënë ambasadori rus për agjencinë shtetërore “Tanjug”.

Ai ka theksuar se Rusia mbështet Serbinë edhe kur bëhet fjalë për ulësen në Kombet e Bashkuara për Kosovën.

Kuvendi i Serbisë do të diskutojë për Kosovën gjatë ditëve në vijim, ndërkohë që ofertat e Brukselit do të diskutohen kur të ketë zgjidhje.

Serbia ka bërë të ditur se pas këtyre, siç janë quajtur, ditëve të ferrit, do të paraqesë një dokument me sqarime për marrëveshjen për veriun dhe Bashkësinë e Komunave Serbe.

Daçiç, muajin tjetër vizitë në Rusi

Ndëkohë, kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka bërë të ditur se në datat 10 dhe 11 prill do të vizitojë Rusinë.

“Qeveria e Serbisë i kushton vëmendje të madhe zhvillimit të marrëdhënieve me Rusinë”, ka thënë Daçiç për mediat në Beograd, duke shtuar se Rusia është partneri më i rënëdësishëm i politikës së jashtme të Serbisë.

Mediat serbe kanë spekuluar se në axhendën e bisedimeve të Daçiç me zyrtarët rusë do jetë edhe Kosova.

Top Channel