Rio, stadiumi olimpik mbyllet pa afat

27/03/2013 04:10

Një stadium në Brazil, i cili ishte përcaktuar të priste atletikën e Lojërave Olimpike 2016, është mbyllur për një kohë të pacaktuar, për shkak të problemeve strukturore me çatinë e tij.

Stadiumi “Joao Havelange”, në Rio de Janeiro, është ndërtuar vetëm 6 vjet më parë. Ai është përdorur gjithashtu si arena kryesore futbollistike në Rio, ndërkohë që stadiumi tjetër i qytetit, “Maracana”, është duke u rinovuar për Botërorin e vitit të ardhshëm.

Ky përbën një shqetësim për Brazilin, teksa përgatitet për dy eventet madhore që do të presë në vitet në vijim, bëjnë të ditur korrespondentët.

Autoritetet kanë pranuar gjithashtu vonesat me punimet në “Maracana”, si dhe një problem financimi te një tjetër stadium, në të cilin pritet të luhet ndeshja hapëse e Botërorit 2014.

Kryebashkiaku i Rio-s, Eduardo Paes, tha gjatë një konference për shtyp, ditën e martë, se është vënë në dijeni në lidhje me problemet strukturore në stadium vetëm mëngjesin e po asaj dite.

“Kërkova të dija nëse ky problem përbën rrezik për spektatorët dhe më është thënë po, në varësi të shpejtësisë së erës dhe temperaturave. I gjendur në këto kushte, menjëherë vendosa ta mbyllja stadiumin, deri sa të kemi më shumë detaje”.

Ai tha se situata është “thjesht e papranueshme” për një stadium, i cili u ndërtua vetëm pak kohë më parë, duke paralajmëruar përgjegjësit se do të mbajnë përgjegjësi për këtë problem.

Stadiumi u hap nga fundi i vitit 2007, teksa kostoja e ndërtimit të tij i tejkaloi limitet. Ai ka qenë arena kryesore, ku ka zhvilluar ndeshjet e kampionatit vendas ekipi i Botafogo-s, ku luan ish-mesfushori i Milanit, Clarence Seedorf.

Top Channel