Raporti i OSBE-së për drejtësinë

27/03/2013 00:00

OSBE publikoi raportin “Drejt Drejtësisë” një analizë e thelluar e gjendjes aktuale të sistemit tonë të drejtësisë, me pikat ky çalon dhe propozimet konkrete për korigjimin e tyre.

Në fjalën e prezantimit të tij, ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfart tha se misioni i raportit është rritja e transparencës dhe e ndershmërisë në proceset gjyqësore. Ai vlerësoi përparimin në dy dekadat e fundit, por shprehu nevojën e reformave të tjera për të prekur standardet më të larta.

“Shumë reforma mbeten ende për t’u kryer për të përmirësuar akoma sistemin. Reformat janë të domosdoshme në mënyrë që sistemi të përmbushë kriteret dhe standardet e kërkuara”, tha ambasadori i OSBE-së.

Raporti prek edhe zvarritjen e proceseve gjyqësore. Kjo dukuri, sic vëren OSBE, është ulur, megjithatë vihet theksi tek marrja e masave për eleminimin sa më të madh të seancave joproduktive gjyqësore.

I pranishëm në publikimin e raportit ishte edhe Ministri i Drejtësisë Eduart Halimi. Në fjalën e tij, zoti Halimi cilësoi raportin një studim serioz që jep propozime konkrete për të përmirësuar sistemin.

Raporti u hartua pas vrojtimit në 140 seanca të ndryshme gjyqësore, ndërsa përmirësimet e sistemit, thotë OSBE, duhet të mbërrijnë me pjesëmarrjen e gjithë aktorëve, kryesisht specialistëve të drejtësisë, shoqërisë civile dhe Ministrisë së Drejtësisë.

Top Channel