Qen anti-eksploziv në Gjykatë

27/03/2013 00:00

Në përpjekjen e radhës për të zhbllokuar procesin ndaj të pandehurit  Dritan Dajti  dhe në të njëjtin interval kohe kur trupa gjyqësore hyri në sallë për të shqyrtuar këtë çështje, për të dytën herë radhazi brenda ditës,  forcat policore ushtruan kontrolle të befta në ambientet  gjykatës.

Por ndërsa vitin e fundit kontrolle të tilla kryhen përditë në Gjykatën e Krimeve të Rënda përgjatë orëve të mëngjesit, ky kontroll i dytë në të njëjtën ditë me qen anti-eksploziv, sipas policisë për sigurinë e gjykatës, ka lidhje pikërisht me çështjen gjyqësore Dajti.

Policia kontrolloi të gjithë perimetrin e jashtëm të gjykatës, madje duke hapur edhe pusetat, por nuk u dha ndonjë argument nëse kjo kishte lidhje me ndonjë informacion për ndonjë ngjarje në lidhje me të pandehurin në fjalë  apo me ambientet e gjykatës.

Në të njëjtën kohë në gjykatë, avokati i kërkuar nga gjykata, Saimir Visha kundërshtoi mbrojtjen e Dritan Dajtit me motivin se emri i tij nuk është në listën e avokatëve kryesisht dhe se nuk është gjykata ajo që urdhëron avokatët për raste të tilla, por Komisioni i Ndihmës juridike edhe kjo me kërkesë të të pandehurit.

Avokati penalist kërkoi madje përjashtimin e relatorit të çështjes Idriz Mulkurti pasi sipas Vishës, ai  dhe gjyqtari kanë mosmarrëveshje për shkak të një kërkese më të hershme prej gjykatës për procedim disiplinor ndaj tij.

Kjo kërkesë është bërë për shkak të mosparaqitjes në procesin Dajti nga avokati Visha dhe ende nuk është marrë në shqyrtim nga Dhoma e Avokatisë. Në këto kushte avokati e konsideroi këtë përplasje si një ngërç që e ndalon avokatin t’i drejtohet në kushte të barabarta gjykatës për mbrojtjen e klientit të cilin nuk pranon ta marrë asnjë avokat.

Në përfundim gjykata vendosi që avokati Visha të njihet me aktet, ndërkohë që një tjetër trupë gjyqësore do të shqyrtojë kërkesën për përjashtimin nga kjo trupë të gjyqtarit Mulkurti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA