Papa refuzon apartamentin

27/03/2013 01:20

Apartamenti papnor është gati, por Shenjtëria e Tij Françesku preferon të vazhdojë të banojë në rezidencën e Shën Martës në Vatikan, atje ku jetuan kardinalët gjatë Konklavës.

Lajmi, i dhënë më parë nga e përditshmja argjentinase “La Nacion”, u konfirmua edhe nga drejtori i zyrës së shtypit të Selisë së Shenjtë, At Federico Lombardi.

Ai shpjegoi se Papa ka lënë të kuptohet se dëshiron të banojë me të tjerët; është zhvendosur nga dhoma ku qëndronte gjatë Konklavës dhe tani jeton në një apartament më komod.

Aktualisht, ai jeton në të ashtëquajturën “suite 201”, e cila ka një sallon pritjeje për të ftuarit e Papës. Gjithsesi, përfundoi At Lombardi, Papa Françesku po eksperimenton këtë formë bashkëjetese të thjeshtë dhe normale, me priftërinjtë e tjerë që punojnë në Vatikan.

Kështu ai do të ketë mundësi të takojë më shumë njerëz, të shkëmbejë mendime e të ndajë edhe tryezën me ta. Vendim ky që pritej, ndoshta nga çasti kur Ati i Shenjtë hapi apartamentin papnor, me shtatë dhoma dhe një kishëzë private, në Pallatin Apostolik, dhe komentoi: Këtu ka vend për 300 persona!

Ky akt i Papës do të ishte një tjetër sinjal i fortë ndryshimi. Prej vitit 1903, të gjithë papët kanë jetuar në këtë apartament, ndërsa më parë, në ambjente të tjera të Pallatit Apostolik të transformuar në muze.

Top Channel