Viti 2013 është mundësia më e mirë për të arritur një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Një mesazh të tillë e ka dhënë në Prishtinë sekretari i përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Goran Svilanoviç, ish-ministër i Jashtëm i Serbisë gjatë kohës së kryeministrit të vrarë Zoran Gjingjiç.

Ai të mërkurën shoqërohej edhe nga përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar dhe zëvëndësministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, në konferencën ku temë bosht ishte bashkëpunimi rajonal, si rrugë drejt integrimit europian.

Sipas Svilanoviç, ky mund të jetë vit mjaft i mirë për të arritur një marrëveshje, sepse vitin e ardhshëm do të ketë zgjedhje në shumë shtete të BE-së, përfshirë edhe Gjermaninë, dhe sipas tij do të kenë më pak kohë për t’u marrë me këto çështje.

“Unë dua ta them shumë hapur. Kjo nuk është një marrëveshje e lehtë as për Kosovën as për Serbinë, ndaj duhet të jetë jemi realistë. Dihen qëndrimet e Serbisë për Kosovën, por edhe Kosova kur është fjala për qëndrimet e saj ndaj veriut. Palët janë në një pozitë shumë të vështirë, por po përpiqen që të arrijnë një marrëveshje funksionale,  e cila do të jetë një prej shembujve në rajon, me diçka funksionale dhe të realizueshme. Pse jam pak patetik kur e them këtë, sepse përreth nesh në rajon ka pasur disa mundësi që janë braktisur dhe zakonisht pastaj duhen vite që të arrihet sërish në pikën ku jeni. Prandaj, unë shpresoj që nuk do të humbet ky rast tani”, deklaroi Svilanoviç.

Ndërkohë, përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar tha me këtë rast se bashkëpunimi rajonal është gur themeli në proçesin e integrimit.

“Bashkëpunimi rajonal është edhe si gurëthemel i integrimit rajonal. Ky dhe marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore janë parakusht për proçesin e normalizimit dhe stabilizim-asociimit. Bashkëpunimi rajonal do të sjellë edhe rezultatet e strategjisë së komunikimit për zgjerim. Po ashtu, do të ndihmojë edhe në sundimin e ligjit”, deklaroi Zhbogar.

Zëvëndësministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, fillimisht foli për të ftuarin Svilanoviç, që ka prejardhje nga rajoni i Gjilanit të Kosovës, duke i uruar mirëseardhjen në vendlindje, ndërsa më pas foli për bashkëpunimin e Kosovës me shtetet e rajonit.

Sidoqoftë, Kosova është bërë anëtare e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal gjatë muajit shkurt të këtij viti dhe ka të drejtën e përfaqësimit, nënshkrimit dhe të votimit si të gjitha shtetet anëtare të kësaj organizate.

Top Channel