Kërkimet për Julian Çelën

27/03/2013 19:35

Pa u gjetur motivi pse Ardian Prrenjasi pranoi fajësinë e krimit të 10-vjeçarit Julian Çela, nuk mund të kemi një hetim rezultativ.

Një ndër ekspertët më të njohur të kriminalistikës në vend, Luan Veliqoti, gjatë një interviste dhënë për Top Channel shprehet se, autorit të dyshuar i duhet bërë përshkrimi psikologjik, si baza fillestare e një hetimi.

“Duhet të vlerësohet nga pikëmaja psikologjike dhe logjike. Nga ajo psikologjike do të duhej të zbulohej se cili është motivi që ai e pranon këtë fakt. Nëse nuk e thotë qartë, atëherë thënia e tij do të merret me rezervë. Nga ana logjike, duhet të shihet nëse këto thënie mund të ndodhin në jetë ashtu siç thotë ai”, vlerëson Veliqoti.

Për Veliqotin, i cili mban gradën e doktorit dhe të profesorit të asociuar në fushën e kriminalistikës, ky është një hetim tej mase i vështirë. Por ai ngre shqetësimin nëse u krye këqyrja e automjetit dhe koshit të pretenduar në trasnsportin e fëmijës.

“Duhet kontrolluar aty ku e ka hedhur ai, tek koshi i plehrave dhe tek makina, që dyshohet se e ka marrë atë. Aty mund të gjenden gjurmë biologjike. Natyrisht që kjo është e vështirë, por teorikisht duhet të bëhet”, thekson Veliqoti.

Sipas ekspertit, duhet patjetër të ketë një mendim nga ekspertët e anatomi-patologjisë se në çfarë gjendjeje mund të jetë trupi dhe duhet të ketë më shumë angazhim në kërkime.

“Trupi mund të mos jetë dekompozuar duke qenë se ka qenë ftohtë dhe nën shtresa. Duhet të angazhohen më shumë njerëz, jo vetëm me një pakicë dhe një ekskavator”, thotë kriminologu.

Për zotin Veliqoti, nëse krimi ka ndodhur, pavarësisht të gjitha vështirësive që ka, autori duhet të ketë lënë gjurmë diku. “Ky nuk është një rast ku autorët e veprave penale veprojnë me një shkathtësi, zgjuarsi, apo arsimim, sikundër mund të jenë krimet e jakave të bardha. Por megjithatë, për rezistencën e vogël të viktimës, atij nuk i janë dashur shumë veprime për të kryer për të lënë gjurmët e trupit të tij”, deklaron Veliqoti.

Për Veliqotin, asnjëherë në një krim nuk hetohet vetëm në një pistë. Ajo e trafikimit, sipas tij, mund të jetë një tjetër pistë. “Nuk duhet mjaftuar me këtë version që është më i besueshmi, por edhe pista të tjera, si për shembull trafiku. Të mos bazohemi vetëm tek një version, kjo është aksioma e hetimit të çdo lloj vepre penale”, thotë më tej eksperti.

Top Channel