Gjermani-Greqi, paqe përmes futbollit

27/03/2013 01:45

Ish-trajneri i ekipit kombëtar të futbollit të Greqisë, gjermani Oto Rehagel, i njohur dhe si “Mbreti Oto”, pasi nën drejtimin e tij grekët u shpallën kampionë të Europës në 2004, mbërriti në Athinë bashkë me të dërguarin special të Berlinit për Greqinë, Hans-Joachim Fuchtel, kësaj here me një mision miqësie.

“Jam shumë i kënaqur, që jam këtu në Athinë sot. Kam qenë i lumtur që pranova një ftesë të tillë nga sekretari Hans-Joachim Fuchtel dhe kancelarja Angela Merkel. Unë dua që miqësia greko-gjermane të ruhet përgjithmonë”, tha Oto Rehagel, ish-trajner i kombëtares greke.

Si një figurë e dashur dhe e respektueshme në vend, Rehagel është ftuar nga Berlini zyrtar të ndikojë sadopak në përmirësimin e klimës negative midis dy vendeve, që është acaruar edhe më shumë pasi Greqia ka marrë, nën presionin e Gjermanisë, masa të ashpra shtrënguese, me kusht ndihmën financiare.

“Juve, grekëve, nuk do t’ju braktisin. Edhe pse ka pasur disa irritime, nëse dikush është në vështirësi, Gjermania dhe vendet e tjera të botës do të mblidhen së bashku, për të gjetur një zgjidhje të mirë”, shtoi Oto Rehagel.

Por Rehagel gjen një klimë edhe më armiqësore në vend, sidomos pas zhvillimeve në Qipro, dhe ka shumë mundësi që roli i tij, tashmë si ambasador i miqësisë, të dështojë.

Sot, përsëri shtypi grek bën fjalë për sundimin gjerman, që po kërcënon BE-në, sipas gazetës “Eleftherotipia”, që thekson se Qipro u ekzekutua dhe mesazhi iu dha vendeve të Europës jugore.

Ndërsa në të njëjtën klimë, edhe gazeta “TA NEA” ka si titull: “Odisea e qipriotëve dhe cinizmi i veriorëve”. Ndërkaq, të gjitha agjencitë transmetojnë opinione se, ajo që ndodhi në Qipro me taksën e depozitave, do të mund t’u ndodhë gjithë europianëve, duke iu referuar edhe sondazhit të fundit në Gjermani, ku 54% e qytetarëve nuk i besojnë Merkelit për këtë politikë financiare me bankat.

Gjithsesi, Rehagel, që nuk është mësuar të mundet, bashkë me të dërguarin e Berlinit për Greqinë, pas një takimi me ministren greke të Turizmit, u kanë çuar mesazh shtetasve gjermanë të vizitojnë në verë Greqinë.

Top Channel