Bersani: Pozicioni i kryeministrit, për të çmendur

27/03/2013 16:10

Kryetari i koalicionit të qendrës së majtë, i renditur i pari në zgjedhjet e shkurtit në Itali, bëri një thirrje të re për formimin sa më të shpejtë të një qeverie, ndërsa duke ironizuar komedianin Grillo, tha se “vetëm një i sëmurë mendor do të donte të ishte kryeministër i Italisë në këtë moment”.

Partia Demokratike (në Itali një parti e majtë) e Luigi Bersanit u rendit e para në zgjedhjet e shkurtit, por mungesa e vullnetit të krahut të Berlusconit dhe Grillos për të bashkëpunuar, e ka bërë të pamundur formimin e një qeverie.

Nëse nuk do të arrihet një marrëveshje, për të cilën duhet domosdoshëmrisht bashkëpunimit i Grillos, pasi Bersani ka përjashtuar një qeveri me Berlusconin, zgjedhje të reja do të shpallen në qershor.

Megjithatë, lëvizja “Cinque Stelle” e komedianit Grillo ka përjashtuar pjesëmarrjen në çdo qeveri, nëse liderit të saj nuk i ofrohet pozicioni i kryeministrit.

“Vetëm një person i sëmurë mendërisht do të kishte këtë dëshirë të papërmbajtur për të qeverisur vendin në këtë moment”, deklaroi të mërkurën Bersani, duke iu referuar kryetarëve të “Cinque Stelle”-s.

Pas pesë javësh bisedimesh, tre blloqet kryesore politike refuzojnë të formojnë aleanca midis tyre, ndërsa asnjë aleancë tjetër, e një prej këtyre tre koalicioneve me një parti të katërt nuk do të garantonte shumicën në parlament.

Ngërçi politik në Itali ka ndikuar negativisht në krizën ekonomike, të ekonomisë së tretë më të madhe në Eurozonë, ndërsa shanset për zgjedhje të reja të parakohshme po shtohen gjithmonë e më shumë.

Aktualisht, Italia është duke u përballur me rënien ekonomike më të gjatë në 20 vjet, që ka shkaktuar rënien e indekstit të kreditit në vlerësimin e rrezikshëm BBB+.

Gjithashtu, Italia përballet me një borxh kombëtar kolosal, i cili kap vlerën e 2,6 trilion dollarëve (120% e PBB-së).

Top Channel