Arrestohet ish-drejtori i bankës

27/03/2013 17:35

Ish-drejtori i një filiali banke u arrestua nga policia e Tiranes pasi dyshohej se nga viti 2010 deri në fund të vitit 2012 u kishte vjedhur pesë klientëve të tij një shumë prej 100 mijë eurosh.

Mënyra se si vepronte Genci Markollari, 37 vjeç, ishte se depozitonte në bankën qëndrore më pak para seç arkëtonin 5 biznesmenë në degën që drejtohej prej tij.

Për dy vite me radhë Markollari, duke u hequr një pjesë të vogël për çdo derdhje pesë bizneseve, dyshohet se i solli bankës së tij një dëm ekonomik prej 100 mijë eurosh.

“Forcat e policisë së Tiranës kanë arrestuar shtetasin Genci Markollari, vjeç 37, ish-drejtor pranë bankës “Intesa Sanpaolo”, në degën e Rinasit. 37-vjeçari ka punuar në këtë detyrë që prej tetorit të vitit 2004 deri në dhjetor të vitit 2012. Nga hetimet e kryera në kuadër të këtij proçedimi rezulton se ish-drejtori, duke shpërdoruar detyrën, ka tërhequr para kesh nga llogaritë e disa klienteve të kësaj banke duke bërë derdhje “virtuale” në këto llogari, gjë që i ka sjellë një dëm ekonomik kësaj banke të nivelit të dytë në shumën mbi 100.000 euro. Këtë veprimtari kriminale ai dyshohet se e ka bërë në bashkëpunim edhe me punonjës të tjerë, gjeneralitet e të cilëve nuk bëhen të ditur për arsye hetimi, dhe të shtrirë në një afat kohor mbi 2 vjet dhe në llogaritë e mbi 5 klientëve të kësaj banke”, deklaroi në një konferencë për shtyp zëdhënësja e policisë së Tiranës, Alma Katragjini.

Për Markollarin është ngritur akuza e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe “falsifikim nga personi që ka për detyrë lëshimin e dokumentave”.

Top Channel