Afganistan, sulmi ndaj talebanëve, dhjetëra të vrarë

27/03/2013 16:55

Një sulm i koordinuar i trupave afgane të sigurisë çoi në eliminimin e dhjetërave militantëve islamikë gjatë 24 orëve të fundit, informoi të mërkurën Ministria Afgane e Mbrojtjes.

Operacionet u realizuan nga policia afgane kombëtare, Drejtoria Kombëtare e Sigurisë dhe u mbështetën prej koalicionit të NATO-s në vend, “ISAF”-it.

Sipas bilancit zyrtar, 52 talebanë u vranë, 45 u plagosën dhe 21 të tjerë u arrestuan në këtë aksion.

Në fillim të javës, në një tjetër aksion paralel, u konfirmua eliminimi i 23 anëtarëve të forcave talebane.

Ndonëse niveli i dhunës në Afganistan është larg kufirit të disa viteve më parë, ndërsa trupat e NATO-s po përgatiten të largohen vitin e ardhshëm, militantët kanë fituar terren dhe po organizojnë një seri sulmesh shqetësuese, veçanërisht ato “brenda radhëve”, siç njihen sulmet e realizuara nga policë apo ushtarë afganë të radikalizuar.

Gjatë vitit të shkuar, më shumë se 60 trupa të NATO-s, përfshi kapiteni shqiptar Feti Vogli, mbetën të vrarë në sulmet e këtij lloji.

Top Channel