Në prag të takimit të 2 prillit në Bruksel, ku mund të arrihet një marrëveshje në dialogun për normalizim marrëdhëniesh Kosovë – Serbi, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi thotë se është optimist racional sepse është mësuar me vendimet e gabuara të Serbisë në raport me Kosovën.

“Unë jam optimist dhe racional për datën 2 prill, sepse jemi mësuar me vendimet e gabuara të Serbisë në raport me Kosovën. Ata sikur kanë një paranojë në raport me Kosovën kur afrohet data e arritjes së marrëveshjeve të ndryshme”, deklaron Thaçi.

Në një intervistë ekskluzive për Top Channel, vetëm pak ditë para se të udhëtojë në Bruksel për takimin e 8, i bindur se Kosova nuk po humb asgjë, kryeministri Thaçi ka thënë se vonesat e Serbisë mund të ngadalësojnë proçesin.

“Kjo vonesë dhe hezitim i Serbisë mund të ngadalësojë proçesin dhe dua të potencoj se Serbia nuk duhet t’i bëjë gabimet që i ka bërë në proçeset negociuese, qoftë në proçesin e Rambujesë në kohën e Millosheviçit, qoftë në proçesin e Vjenës në kohën kur Serbia është udhëhequr nga Koshtunica. Mendoj se Kosova dhe Serbia duhet të marrin vendime për të ardhmen dhe në asnjë rrethanë Serbia të mos mbetet peng i politikës së vjetër, duke mos guxuar të marrë vendime që çojnë dy shtetet dhe popujt tanë përpara”, ka thënë Thaçi.

Më tej, kryeministri ka thënë se Serbia nuk ka të ardhme europiane pa normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, dhe sikur kjo të ndodhte do të ishte në interesin e dy vendeve.

Vetëm një ditë pasi i pari i qeverisë së Kosovës tha se Serbia ka humbur shansin në takimin e shtatë, të 20 marsit, për të lënë pas të kaluarën dhe të kalojë në etapën e fqinjësisë së mirë, gjatë kësaj interviste ai ka deklaruar se propozimet e baroneshës Ashton janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Lirisht mund të themi se janë në përputhshmëri me Kushtetuën e Kosovës, dokumentin e Ahtisaarit dhe me orientimet tona euro-atlantike. Pozicioni i Prishtinës është plotësisht i përafërt, apo mund të themi është i harmonizuar me qëndrimin e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka nënvizuar Thaçi.

Po ashtu, Thaçi ka thënë se gjatë këtij proçesi në Bruksel, Serbia ka pretenduar të sjellë elemente të Republikës Serbe në Bosnjë, por diçka e tillë ka qenë e papranueshme dhe ky qëndrim është konfirmuar edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në OKB.

Duke folur për këtë mbledhje, kryeministri i Kosovës, pasi ka bërë kërkesë që Këshilli i Sigurimit të nxjerrë një rezolutë të re për anëtarësimin e Kosovës, i pyetur nëse shpreson se një proçes të tillë nuk do ta bllokojnë Rusia dhe Kina, ai thotë se nëse ka normalizim, atëherë asnjë shtet nuk ka arsye të jetë kundër.

“Në rast të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi, asnjë shtet nuk ka asnjë arsye dhe asnjë argument që të jetë kundër”, ka pohuar Thaçi. Sidoqoftë, para takimit të ardhshëm që do të mbahet më 2 prill në Bruksel, kryeministri Thaçi do të raportojë në Kuvendin e Kosovës për takimin e shtatë, i cili kishte zgjatur 12 orë, por pa marrëveshje.

Top Channel