Opozita siriane në samitin e Ligës Arabe

26/03/2013 00:00

Fronti opozitar sirian, Këshilli Kombëtar ka zënë vendin zyrtar në samitin e Ligës Arabe që po mbahet në Katar.

Delegacioni i kryesuar nga Ahmed Moaz al Khatib, që ka deklaruar se dorëhiqet nga posti i kreut të koalicionit, është duartrokitur teksa është ulur në karriken e tij.

Zoti Khatib e cilësoi këtë përfaqësim si pjesë të rivendosjes së legjitimitetit që Sirisë i është vjedhur për një kohë të gjatë.

Lëvizja ka shkaktuar irritimin e Damaskut zyrtar, që akuzoi Ligën Arabe se ia ka dorëzuar ulësen “banditëve dhe rrugeçërve”.

Qeveria e Bashar al Assad ishte përjashtuar nga Liga Arabe në nëntor 2011 si përgjigje ndaj ofensivave të saj ndaj opozitës dhe popullsisë.

Këshilli Kombëtar u ftua zyrtarisht për të zënë ulësen nga presidenti i samitit, Emiri i Katarit, që do të zgjasë dy ditë në Doha.

Me zotin Khatib janë bashkuar edhe kryeministri i përkohshëm i opozitës, Ghassan Hitto dhe dy eksponentë të tjerë të rëndësishëm të saj, George Sabra dhe Suheir Atassi.

Flamuri sirian ishte zëvendësuar në vendin në tryezën e bisedimeve me flamurin që aktualisht përdor opozita siriane. Në një fjalim emocional, zoti Khatib tha se populli sirian po e paguan çmimin e lirisë me gjakun e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA