Korea e Veriut, gati të sulmojë SHBA-në

26/03/2013 00:00

Njësitë ushtarake koreano-veriore janë pozicionuar për të goditur të gjitha bazat amerikane në Shtetet e Bashkuara, por edhe në Hauai dhe Guam. Njoftimi u bë  përmes agjensisë shtetërore të lajmeve KCNA, disa ditë pas një retorike të ashpër të Penjanit kundër Uashingtonit.

Në deklaratë thuhej: “Nga ky moment, Komanda Supreme e Ushtrisë Popullore të Koresë do të vendoset në pozicionin ushtarak numër 1. Njësitë tokësore të artilerisë dhe njësitë e lëshimit të raketave do të vënë në shënjestër të gjithë objektivët armiqësorë, në të gjithe bazat ushtarake në Shtetet e Bashkuara, por edhe në Hauai dhe Guam”.

Sipas ekspertëve, Korea e Veriut nuk besohet se zotëron teknologjinë për të goditur Shtetet e Bashkuara: armën atomike apo raketat balistike, por është në gjendje të vendosë në shënjestrën e raketave me rreze të mesme veprimi bazat në rajon.

Korrespondentja e BBC-së në Seul shpjegoi se deklarata e Penjanit vjen pasi vendi zhvilloi një stërvitje ushtarake në shkallë të gjerë. Megjithatë, siç tha ajo, mbetet ende e paqartë nëse urdhri i mobilizimit është për disa njësi ushtarake apo për të gjithë ushtrinë. Në një konferencë për shtyp, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Hong Lei u kërkoi palëve të përfshira të përmbahen për të lehtësuar tensionet. Deklarata e Penjanit vjen kur Korea e Jugut përkujton 3-vjetorin e tragjedisë së luftanijes “Ceonan”, mbytja e të cilës shkaktoi vdekjen e 46 marinarëve.

Seuli nuk ka diktuar ndonjë shenjë të pazakontë në Veri. Tensionet janë të larta në gadishullin korean, pas testit bërthamor të Koresë së Veriut, që u krye më 12 shkurt. Testi solli për pasojë sanksione të reja të OKB-së, të cilat u kundërshtuan fuqimisht nga Penjani. Stërvitja vjetore ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut ka egërsuar vendin komunist. Javët e fundit, retorika anti-amerikane e Penjanit është shtuar. Fillimisht kërcënoi Uashingtonin për sulme bërthamore, ndërsa më pas se do të godasë bazat ushtarake amerikane në Japoni.

Top Channel