Itali, rihapet gjyqi për Knox-Sollecito

26/03/2013 00:00

Shtetasja amerikane Amanda Knox dhe ish-i dashuri i saj italian Raffaele Sollecito do të përballen me rigjykimin e çështjes për vrasjen e shoqes së tyre të dhomës Meredith Kercher, në vitin 2007, në Peruxha të Italisë.

Vendimi për përsëritjen e proçesit është marrë nga Gjykata e Lartë e Italisë. Knox dhe Sollecito kaluan katër vjet në burg për vrasjen e Meredith, por u liruan në apel në vitin 2011, pasi u deklarua se provat e ADN-së nuk ishin të sakta.

Knox deklaroi se ndjente “dhimbje” për këtë vendim, por shprehu besimin e saj tek e vërteta. Ligji italian nuk e detyron dot Knox, që jeton në Siatëll, të kthehet për t’u paraqitur në rigjykim. Por nëse ajo dënohet, Italia mund të kërkojë ekstradimin e saj.

“Ishte e dhimbshme të merrje lajmin se Gjykata Supreme e Italisë vendosi ta kthejë çështjen time për rigjykim, ku teoria e prokurorëve për përfshirjen time në vrasjen e Meredith ka rezultuar tërësisht e pabazë”, deklaroi Amanda.

“S’ka rëndësi se çfarë ndodh, familja ime dhe unë do të vazhdojmë të përballemi me këtë betejë ligjore ashtu siç kemi bërë gjithmonë, me besimin tek e vërteta dhe me kokën lartë përballë akuzave të gabuara dhe kundërshtimeve të paarsyeshme”, vijoi studentja amerikane.

Knox, aktualisht 25 vjeç dhe Sollecito, 29, ishin dënuar në fillim me nga 26 dhe 25 vjet burg për vrasje dhe agresion seksual ndaj Meredith Kercher.

I pandehuri tjetër në këtë çështje, Rudy Guede, nga Bregu i Fildishtë, u dënua në një proçes të ndarë me 16 vjet burg për sulm seksual dhe më pas me thikë ndaj zonjush Kercher. Ai pranoi se ndodhej në shtëpinë e studentes britanike natën e krimit, por mohoi vrasjen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA