Itali, Monti i befasuar nga dorëheqja e ministrit

26/03/2013 21:20

Kryeministri në largim i Italisë, Mario Monti, u shpreh i “tepër i befasuar” nga vendimi i ministrit të tij të jashtëm, Giulio Terzi, për të dhënë dorëheqjen të martën.

Terzi vendosi të dorëhiqej në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë italiane për të dërguar në Indi për t’u përballur me drejtësinë dy marinarë, të akuzuar për vrasjen e një peshkatari.

Çështja ka ngjallur një përplasje të ashpër diplomatike midis dy shteteve.

“Rezervat e mia për dërgimin e dy marinarëve në Indi nuk u morën parasysh dhe si rrjedhojë, e ndiej veten moralisht të shtrënguar për të dorëzuar pozicionin tim në krye të Ministrisë së Jashtme. Në 40 vite karrierë, kam shërbyer gjithmonë duke nderuar vendin, forcat e tij të armatosura dhe diplomacinë italiane. Nuk do të doja që kjo të ndryshonte në fundin e karrierës sime”, deklaroi Terzi.

Në komentin e tij, kryeministri Monti u shpreh dyfish i befasuar, pasi ishte takuar gjatë së martës me Terzin dhe ai nuk i kishte komunikuar asnjë qëllim për t’u dorëhequr.

Top Channel